Meta rrëfen bisedën me Soros: Kërkoi takim pas akuzave që bëra! Tre temat që diskutuam

22 Dhjetor 2019, 11:14

TIRANE-Kreu i shtetit Ilir Meta dy ditë pas  takimit në Presidencë me Alexander Soros, djalin e filantropit të njohur George Soros si dhe Andi Dobrushin, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Soros në Tiranë ka reaguar duke sqaruar arsyet dhe temat e diskutimit. Presidenti shprehet se nga muaji korrik kur bëri disa akuza publike të forta, madje si komplotues për rolin e Fondacionit "Shoqëria e hapur" për kapjen e drejtësisë së re nga Kryeministri, 'ka pasur disa kërkesa zyrtare për takim nga përfaqësues të këtij Fondacioni, në veçanti për të sqaruar pozicionin e tyre lidhur me Reformën në Drejtësi. Do të ishte jo etike nga ana ime që ndërsa kam shprehur publikisht rezervat e mia për ta, t'i shmangesha një takimi të drejtpërdrejtë, për t'u shprehur këto shqetësime edhe nga afër. Për më tepër që shmangiet dhe gënjeshtrat nuk janë në karakterin tim' thotë ai.

Por cfarë diskutoi Ilir Meta me djalin e Soros? "Tre temat që unë jam përqendruar kanë qenë kapja e drejtësisë nga Kryeministri, përkeqësimi i lirisë së medias dhe të lirisë së shprehjes, dhe gjallërimi i shoqërisë civile në vend kundër shkeljes së të drejtave të njeriut dhe dhunimit të vlerave të demokracisë. E vetmja temë që nuk u përmend nga Zëdhënësi im ishte ajo e menaxhimit të pasojave të tërmetit".  Por cili është mendimi dhe qëndrimi i Presidentit në lidhje me Shengenin Ballkanik dhe takimin që u bë dje në Tiranë, teksa Kosova nuk mori pjesë në Samit duke e bojkotuar? "Tema e të ashtuquajturit "Mini-Shengen" nuk ka ekzistuar në takim (me djalin e Soros). Lidhur me të ashtuquajturin "Mini-Shengen" unë e kam bërë të qartë publikisht e në mënyrë të përsëritur se çdo iniciativë rajonale është e dobishme kur është gjithëpërfshirëse e jo përjashtuese, kur udhëhiqet nga partneriteti dhe jo paternalizmi, kur sjell kohezion dhe jo konfuzion, e aq më tepër përçarje.