Ndryshime në qeveri! Cakaj jep dorëheqjen, Xhaçka ministre e Jashtme, Peleshi ministër i Mbrojtjes

29 Dhjetor 2020, 14:43 | Përditesimi i fundit: 2020-12-29 16:53:31

TIRANË- Ministri i jashtëm në detyrë Gent Cakaj ka dhënë ditën e sotme dorëheqjen, teksa në vendin e tij është emëruar Olta Xhaçka. Në ministrin e Mbrojtjes është emëruar Niko Peleshi, teksa lajmi është konfirmuar nga kryeministri Edi Rama.

"Pas një periudhe intensive pune në kryesimin e OSBE si edhe punës së madhe me përkushtim e profesionalizëm të Gent Cakajt si ministër në detyrë, ky është momenti për t'ia kaluar bashkarisht stafetën Olta Xhaçkës që të kryejë detyrën e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme.

Dua ta falenderoj me mirënjohje Gentin jo vetëm për dinjitetin në kryerjen e detyrës së derisotme, po edhe për gatishmërinë e plotë për të vijuar përpjekjen e përbashkët, duke u rikthyer në kabinetin e kryeministrit. Ndërkohë Niko Peleshi do të drejtojë ministrinë e mbrojtjes", shkruan Rama. 

Cakaj ka argumentuar vendimin e tij se e ka përmbushur misionin në  diplomacinë shqiptare, teksa shton se nisur nga fakti që vendi është në prag zgjedhjesh, ai nuk ka asnjë synim për angazhim të asnjëlloji.

"Pas përfundimit me shumë sukses të kryesisë së OSBE-së, hapjes së negociatave për anëtarësim me BE-në, punës së jashtëzakonshme për të siguruar një ulëse në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023, zbatimit të një sërë masash të pashembullta për ngritjen e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke qenë se Shqipëria është në pragfushatë zgjedhore, ku unë nuk synoj të angazhohem në asnjë cilësi, konsideroj që kapitulli i shërbimit tim në krye të diplomacisë shqiptare është i përfunduar", tha ndër të tjera Cakaj. 

Këto ndryshime vijnë pak muaj përpara zgjedhjeve të 25 prillit. Kujtojmë që më herët ndryshime ka pasur edhe në Ministrinë e Brendshme dhe të Ekonomisë. Pas dorëheqjes së Sandër Lleshaj, pas protestave për Klodjan Rashën, të riun që u vra nga policia, në krye të ministrisë së Brendshme erdhi Bledi Çuçi, teksa te Ministria e Bujqësisë u emërua Mila Ekonomi.

Lidhur me këto ndryshime ka pasur një reagim edhe nga ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim e cila ka vlerësuar Gent Cakaj, teksa Olta Xhaçkën e quan një partnere e shkëlqyer.