Meta dhe Kuvendi s'humbin kohë! Votohen me nga 97 vota pro emërimi i Bledi Çuçit si ministër i Brendshëm dhe Milva Ekonomit në krye të Ministrisë së Bujqësisë!

TIRANË- Ministri i ri i Brendshëm, pas dorëheqjes së Sandër Lleshaj, do të jetë Bledi Çuçi. Në vendin e tij, do të vijë Milva Ekonomi. Emërimi në detyrë i 2 ministrave të rinj erdhi në një kohë të shpejtë, ku kryeministri Edi Rama, presidenca dhe Kuvendi vepruan menjëherë.

Emrat e ministrave të rinj nga qeveria i kanë shkuar presidentit mëngjesin e sotëm, ndërsa kreu i shtetit Ilir Meta i ka dekretuar menjëherë, duke mos u bërë kështu pengesë, siç ndodhi  në rastin e ministrave Sandër Lleshaj dhe Gent Cakaj.

Sipas procedurës, Meta ka dekretuar fillimisht shkarkimin nga detyra të Sandër Lleshajt dhe Bledi Çuçit, e më pas ka hedhur firmën për emërimin në krye të këtyre dikastereve të rëndësishme 2 emrat e  rinj. 

Ky dekretim i menjëhershëm nga ana e presidentit Ilir Meta, ka bërë që me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, të ndryshohet rendi i ditës. Për pasojë, 2 ministrat e rinj u votuan në seancën e sotme parlamentare, jo në atë pasardhëse siç do të ndodhte me procedurë normale. 

Këto ndryshime erdhën pas dorëheqjes së ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, pas vrasjes së të riut Klodian Rasha nga një efektiv policie. Për këtë arsye, Rama propozoi në vendin e tij Bledi Çuçin dhe në krye të ministrisë së Bujqësisë, Milva Ekonomin!

Kush është Bledi Çuçi
Bledi Çuçi, i propozuar nga Kryeministri si ministri i ri i Punëve të Brendshme, deri më tani ka qenë ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural që prej janarit 2019.  Ai ka lindur në Tiranë, më 14 nëntor 1970. Ai ka një djalë, Endi Çuçi. Ka përfunduar studimet e larta për Drejtësi në Universitetin e Tiranës dhe në vitin 1998, studimet pasuniversitare (Master) për Menaxhim në Universitetin Hasselt në Belgjikë.

Prej shtatorit të vitit 2013 e deri në mars 2017, z. Çuçi ushtroi detyrën si Ministër Shteti për Çështjet Vendore dhe Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit. Në këtë detyrë, ai udhëhoqi punën për përgatitjen dhe zbatimin e Reformës Administrative Territoriale, një nga reformat më të suksesshme të mandatit të parë të qeverisë Rama. Prej tetorit të vitit 2016, z. Çuçi është i deleguari politik i PS për qarkun Gjirokastër; prej janarit 2018 shërben si Sekretar për Çështjet Zgjedhore dhe anëtar i Kryesisë së PS, ndërsa në korrik 2018, u zgjodh anëtar i Kuvendit të Shqipërisë, duke kryesuar listën e anëtarëve të Kuvendit që përfaqësojnë qarkun Gjirokastër për PS.

Kush është Milva Ekonomi
Milva Ekonomi, e cila pritet të jetë ministrja e re e Bujqësisë në vend, ka lindur më 3 dhjetor 1962. Ajo është diplomuar për Financё Kontabilitet në Universitetin  "Aleksandёr Xhuvani" në Elbasan. Në vitin 2016 ajo mori postin e ministres së Ekonomisë. Para se të merre drejtimin e këtij dikasteri të rëndësishëm Ikonomi ishte zv. ministre e Shëndetësisë. Ajo njihet edhe për drejtimin prej 10 vitesh të Institutit të Statistikave.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:59
Kush votoi kundër emërimeve të Bledi Çuçit dhe Milva Ekonomit

Gjatë seancës së sotme në Kuvend u votuan edhe emërimet e dy ministrave të rinj, Bledi Çuçi në krye të Ministrisë së Brendshme dhe Milva Ekonomi në krye të Ministrisë së Bujqësisë.

Bledi Çuçi dhe Milva Ekonomi u votuan me 97 voto pro dhe 4 kundër. Emrat e deputetëve në parlament që votuan kundër janë Adriatik Alimadhi, Mimi Kodheli, Korab Lita dhe Zef Shtjefni.

(Kliko këtu për të lexuar si kane votuar deputetet)

Ora 14:53
Miratohet me 97 vota pro emërimi i Bledi Çuçit si ministër i Brendshëm dhe i Milva Ekonomit si ministre e Bujqësisë

1608201897_Screenshot1.jpg

Me 97 vota pro, Kuvendi ka miratuar 2 ministrat e rinj, atë të Brendshme, Bledi Çuçi dhe ministren e Bujqësisë, Milva Ekonomi.

Ora 11:46
Ndryshohet rendi i ditës/ Pas dekretimit nga Meta, emrat e ministrave të rinj do të votohen sot në Kuvend (VIDEO)

Dekretet për emërimin e ministrave të rinj do të kalojë që në seancën e sotme parlamentare. Ka qenë kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ai ka që bëri kërkesën për ndryshimin e rendit të ditës, e cila më pas ka marrë votat në Kuvend.

“Kam depozituar një kërkesë lidhur me ndryshimin e rendit të ditës siç parashikon rregullorja. Objekti i kërkesës sime ka të bëjë me përfshirjen në rendin e ditës të dekreteve të presidentit për ndryshimet në qeveri. Për hir të konsensusit që kërkon një vendimmarrje e tillë i kam kërkuar mirëkuptimin tre kryetarëve të grupeve të opozitës parlamentare dhe ata kanë shprehur dakordësinë për këtë ndryshim në rendin e ditës, lidhur me nevojën që ministrat e rinj të marrin detyrën sa më shpejt. Besoj në gjithë mirëkuptimin e gjithë kolegëve deputetë që rendi i ditës së seancës së sotme të ndryshohet, duke përfshirë dhe votimin e 4 dekreteve që lidhen me zëvendësimet, shkarkimet në përbërjen e kabinetit të qeverisë”, deklaroi Balla.

Ora 10:55
Meta nuk humb kohë, dekreton emërimin në detyrë të Bledi Çuçit dhe Milva Ekonomit

Presidenti Ilir Meta nuk ka humbur kohë. Emëron në krye të ministrisë së Brendshme Bledi Çuçin dhe ministren e re të Bujqësisë, Milva Ekonomi.  

Ora 10:05
U propozua si ministre e Bujqësisë/ Ekonomi: Përgjegjësi shumë e madhe

Në fjalën e saj, pak para se të niste seanca plenare, Mila Ekonomi u tregua shumë e rezervuar, pasi ende nuk e ka marrë zyrtarisht këtë post. 

"Se kam marrë akoma, kur ta marr. Është përgjegjësi e madhe, kështu që më duhet bashkëpunim, më duhet të kuptojë, më duhet më shumë siguri", tha Ekonomi për gazetarë.

A pritet që të ketë ndryshime në dikaster? Ekonomi tha se është shumë herët për të folur për ndryshime, por nuk nguroi që të listonte 2 punët kryesore që duhet të çojë përpara me marrjen e detyrës.

"Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë me BE-në dhe e dyta që e kemi shumë të mirë  ne sapo kemi filluar një reformë dhe mbështetje për të gjithë fermerët nëpërmjet mbështetjes për uljet të gjitha barrierave fiskale dhe procedurale për naftën. Kështu ka 2 gjëra të mira për të shkuar përpara", tha Ekonomi.

Megjithatë, dekretimi është në dorë të presidentit Ilir Meta dhe për këtë Ekonomi tha se është "në pritje".  

"Kjo është detyrë e presidentit. Unë pres", tha ajo.

 

B.K./I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • O tej: 17/12/2020 18:03

    Do i dekretonte cfar do bente do hante mu...

    Përgjigju
  • ert: 17/12/2020 12:01

    hahahaahah, pergjegjesi e madhe te provosh kastravecin e lushnjes

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka