Ndryshimet në qeveri, Tabaku kundër shkarkimit të Ahmetajt: A kishte ky vendim lidhje me çështjen e inceneratorëve?

28 Korrik 2022, 21:49

Deputetja e PD, Jorida Tabaku foli jashtë Kuvendit në përfundim të seancës parlamentare për votimin e ndryshimeve në qeveri. Ashtu si kolegët e saj të opozitës, Tabaku kritikoi Lindita Nikollën që rrëzoi kërkesën për debat duke thënë se kishin frikë nga akuzat për inceneratorët.

“Sot parlamenti mohoi kërkesën e PD, u ndryshuan dhe prioritetet e qeverisë. E papranueshme që opozita të mos ketë asnjë hapësirë parlamentare. Besoj se ndryshimi i zëvendës kryeministrit është i papranueshëm. A kishte ky vendim lidhje me çështjen e inceneratorëve? Kryetarja e parlamentit duhet të tregonte që ishte mbi palët dhe dështoi ta bënte këtë.

E kuptoj luftën politike dhe përdorimet politike. Ne jemi për parimin e hapjes së dosjeve me anë të një ligji që do ta sjellim njëherë e mirë në ditët në vijim, që do të ndajë Shqipërinë nga periudha e tranzicionit. Partia Socialiste nuk ka moral që të përdore Autoritetin e Dosjeve për luftën e brendshme politike. Nuk patëm mundësinë të diskutojmë as për këtë, as për rezolutën ndaj Kosovës dhe as për integrimin. Ashtu siç dinë të bëjnë e përdorin Parlamentin si noter”, tha Tabaku.