Nëna apeloi për ndihmë, Ministria e Jashtme gjen dhe riatdheson 19-vjeçarin shqiptar, e shpëton nga rreziku në Sierra Leone

27 Mars, 17:38

Pas disa ditësh përpjekjesh intensive, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) e Shqipërisë ka arritur të realizojë me sukses riatdhesimin e një të riu shqiptar, i cili ndodhej në rrezik në Sierra Leone, në kontinentin afrikan.

Kërkesa për ndihmë erdhi nga e ëma e 19-vjeçarit, F. T., disa ditë më parë, dhe MEPJ e mori menjëherë nën shqyrtim situatën. 

“Nëpërmjet kanaleve diplomatike dhe me mbështetje të koordinuar me autoritetet vendase dhe partnerët ndërkombëtarë, u mundësua një reagim i shpejtë dhe i efektshëm. Me përpjekjet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme, operacioni u përmbyll me sukses brenda një periudhe të shkurtër, duke bërë të mundur që i riu të kthehej i sigurt dhe i shëndetshëm pranë familjes së tij”, njoftoi institucioni.