Nis vaksinimi kundër gripit i personelit shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë: Vaksina falas edhe për të moshuarit dhe grupet e rrezikuara

23 Tetor 2021, 15:20

TIRANË-  Ka filluar procesi i vaksinimit kundër gripit për personelin mjekësor, për të vijuar me grupet e rrezikuara, si të moshuarit dhe gratë shtatzëna. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit kundër gripit në Qendrën Shëndetësore Nr.10 në kryeqytet.

"Kanë mbërritur 35 mijë vaksina në raundin e parë të ardhjes së vaksinave të gripit, të cilat tashmë janë porositur prej muajsh nga Instituti i Shëndetit Publik, mbështetur nga qeveria shqiptare. Ashtu sikurse çdo vit tashmë vaksinat e gripit janë përfshirë në kalendarin tonë të vaksinimit për grupet e riskut", tha Manastirliu.