Njësitë e lëvizshme të vaksinimit në Durrës, Manastirliu apelon për vaksinim: Rrezik nga varianti Delta

21 Korrik 2021, 14:28

Duke folur për rrezikun e përhapjes të variantit Delta, Manastirliu tha se është një moment për ndërgjegjësim, pasi vaksinimi nuk është vetëm përgjegjësi e strukturave shëndetësore por edhe qytetarëve.

“Tashmë me alertin e variantit të ri Delta është një moment për ndërgjegjësim, ku secili prej nesh, edhe në aspektin e strukturave shëndetësore por edhe sa i përket qyetetarëve, duhet të ndërgjegjësohen, pikë së pari për të mbrojtur shëndetin e tyre, por nga ana tjetër, duke mbrojtur shëndetin e tyre, mbrojnë edhe shëndetin e familjarëve, miqve, të afërmve. Ndaj, vaksinim, vaksinimin, vaksinimin, sepse vetëm nëpërmjet vaksinimit ne do mundemi të luftojmë virusin dhe të nuk do lejojmë që ai të përhapet dhe sidomos variantet e reja, që është edhe varianti Delta në qarkullim që e ka rritur shumë transmetueshmërinë dhe ne po e shohim që edhe në vendin tonë, kemi një rritje të lehtë të rasteve. Dhe për të thënë të vërtetën jemi të shqetësuar sepse rritja e rasteve, më pas sjell edhe rritje të hospitalizimeve e dhe kjo do të thotë që ne duhet të rrisim shumë vaksinimin, në mënyrë që të shmangim çdo rritje të hospitalizimeve dhe sigurisht që atë që ne nuk e duam, që janë fatalitetet. Ndaj pa asnjë hezitim, ftoj dhe një herë të gjithë qytetarët të mos e lënë për nesër vaksinën, të mos neglizhojnë në kryerjen e vaksinës sepse është jetëshpëtuese dhe na mbron të gjithëve”, tha Manastirliu.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1.082.424 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre 472.886 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID. Vaksinimi masiv vijon edhe nëpërmjet njësive të lëvizshme në komunitet, krahas vaksinimit në pikat e përqendruara të vaksinimit dhe në qendrat shëndetësore kudo në vend. Java e vaksinimit të hapur për qytetarët +18 vjeç vijon deri të dielën, nga ora 08:00 e mëngjesit deri në 8 të mbrëmjes, për të kryer pa kufizim vaksinën anti-COVID