Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dënimin me 30 vite burg të 42-vjeçarit Mikel (Gjovalin) Alia, ndaj të cilit u ngrit akuza e vrasjes në bashkëpunim, pasi me 2 tetor të vitit 2019-të nxori në pritë shokun e tij të fëmijërisë Eri Zefi për ta ekzekutuar. Konkluzionet përfundimtare janë dhënë nga Prokurori Erjon Shehaj, i cili ka hetuar çështjen dhe tashmë do të jetë gjykata e cila do të vendosë për fatin e 42-vjeçarit. Mikel (Gjovalin) Alia është personi i vetëm i marrë i pandehur për vrasjen e Eri Zefit, në Zall Xhuxhë të Mirditës dhe ai u zbulua përmes mesazheve, tabulateve telefonike e pamjeve filmike.
Sipas dosjes Hetimore, 42-vjeçari Alia i kishte kërkuar shokut të fëmijërisë ta ndihmonte për të vjedhur një sasi kanabisi në zonën malore të Mirditës, ku ndodhi krimi. Ekzekutorët ndërkohë besohet se ishin dy persona të tjerë, që mbeten ende të paidentifikuar. Për të mbërritur tek ta, prokuroria e Lezhës i kërkoi 42 vjeçarit Mikel (Gjovalin) Alia të bashkëpunojë me drejtësinë në këmbim të lehtësirave. Por ai në vazhdimësi ka mohuar çdo lidhje me vrasjen duke u deklaruar i pafajshëm.