'Open Balkan'/ Edita Tahiri me tone të forta në Report Tv: Rama të ndalojë takimet ku mungon Kosova

9 Nëntor 2021, 13:42

Ish-kryenegociatorja e bisedimeve Kosovë -Serbi, Edita Tahiri, përmes një lidhje live nga Prishtina për Report Tv foli mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor dhe nismën ‘Open Balkan’.

Tahiri tha se pa stabilitet politik dhe të sigurisë, nuk mund të ketë një zhvillim ekonomik apo tregtar në Ballkan ndërsa shtoi se situata kërkon angazhimin e SHBA dhe të BE.

Sipas saj, kështu parandalohen zhvillimet e këqija.

Ajo foli edhe për takimin që Rama pati në Beograd me Vuçiç në kuadër të nismës 'Open Balkan', ndërsa i kërkoi kreut të qeverisë shqiptare që të mos marrë mjesë në aktivitete ku nuk është i gjithë Ballkani.

Kujtojmë se Kosova nuk mori pjesë në samitin e Ballkanit të Hapur. Edita Tahiri tha se Rama do duhej të kujdesej se kemi ardhur për këtë takim, por të diskutojmë për paqen e sigurinë.

“Rama të ndalë pjesëmarrjen në gjithë aktivitetet ku nuk është i gjithë Ballkani, kur s'është Kosova, çfarë do Shqipëria me Serbinë.”-tha Edita Tahiri.

Më tej, Tahiri tha se Shqipërinë nuk e lidh asgjë me Serbinë që të takohen, pasi nuk kufizohen nga njëra tjetra, e mbi të gjitha, sipas Tahirit Shqipëria s’ka qenë në luftë me Serbinë.

“Shqipëria me Serbinë s'ka qenë në luftë. Shqipëria nuk kufizohet me Serbinë. Gjërat janë të qarta.”-tha Tahiri.

Sa i përket situatës Kosovë-Serbi, Tahiri tha se duhet të ketë njohje reciproke mes dy vendeve, ndërsa përmendi disa prej çështjeve të pazgjidhura mes vendeve.

“Duhet të ketë njohje reciproke mes dy shteteve, ndërsa siç është asosacioni, kthimi i dokumenteve kadastralë, mosndërtimi i disa oobjekteve në pika kufitare nga Serbia, mosnjohja e diplomave, dhe të tjera, duhet gjetur gjuha e përbashkët”-tha Tahiri për Report Tv.