Pak ditë para nisjes së mësimit në universitete, Ministria e Shëndetësisë thirrje studentëve: E vetmja mënyrë për të qëndruar në auditore është vaksinimi

12 Tetor 2021, 13:29 | Përditesimi i fundit: 2021-10-12 21:39:16

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se do të intensifikohet procesi i vaksinimit, duke rritur aksesin për studentët.

“Tashmë kemi hyrë në një fazë tjetër të fushatës së vaksinimit të personave mbi 18 vjeç dhe të gjitha strukturat e shëndetësisë janë në terren. Gjatë kësaj jave ne kemi filluar bashkëpunimin me strukturat e arsimit të lartë. Ju e shihni që tashmë vetë rektorët janë të angazhuar, të gjithë stafet e tyre për të njoftuar studentët që kjo javë është javë vaksinimi. Sepse duke filluar nga java tjetër do të duhet që të paraqesin kartën e vaksinimit për vijimin e procesit normal mësimor”, tha Manastirliu.

Rektorja e Universitetit të Durrësit Kseanela Sotirofski i bëri thirrje studentëve të paraqiten në universitet për t’u vaksinuar, pasi duke filluar nga e hëna e javës së ardhshme do të kërkohet pasaporta e vaksinimit për të qenë prezent në auditore.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,803,799 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 834,469 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës antiCOVID. Ditën e hënë, datë 11 tetor, janë kryer 6,339 vaksinime në të gjithë vendin. 

Vaksinimi është i hapur dhe të gjithë qytetarët mbi 18-vjeç mund të paraqiten me kartën e identitetit në qendrën e tyre shëndetësore, në poliklinika ose në qendrën më të afërt të vaksinimit, çdo ditë, nga 08:00-20:00, për të kryer vaksinën antiCovid.

Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 2,262,960 vaksina antiCOVID.