Pakti për reformën zgjedhore dhe situata politike në Kosovë, të ftuar Monika Kryemadhi dhe Arbër Zaimi

21 Janar 2020, 12:27 | Përditesimi i fundit: 2020-02-05 20:24:14

TIRANË - Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, zbuloi në "5 Pyejtjet nga Babaramo" në Report Tv, se dakordësia për miratimin me konsensus në Parlament të reformës zgjedhore, është arritur shumë më herët se 16 janari kur u pa publikisht nga ulja në tryezë edhe e opozitës parlamentare me dy bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar, Rudina Hajdari dhe Damian Gjiknuri. Përballë gazetarit Ilir Babaramo, Kryemadhi tha, se reforma do të miratohej në dhjetor, dhe sipas dakordësisë së arritur sipas saj, kryeministri Edi Rama duhej të shpallte zgjedhjet e parakohshme në janar. Zgjedhjet, do të zhvilloheshin në muajin prill - tha Kryemadhi, përpara Samitit të Zagrebit, i cili mbahet në muajin maj, dhe që është i rëndësishëm për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kryetarja e LSI-së, sqaroi se reforma nuk u miratua në Kuvend në dhjetor, për shkak se mazhoranca dha argument shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme pas tërmetit të 26 nëntorit.

"Reforma zgjedhore duhej të ishte miratuar në dhjetor, sepse kështu ishte dakordësimi edhe me SHBA, edhe me BE, por duke shpallur gjendjen e emergjencës parlamenti nuk mund të miratojë kode zgjedhore, ky ka qenë justifikimi nga ta. Ai duhet të shpallte zgjedhjet në janar, t'i bënte në fund të prillit, para samitit të Zagrebit, prandaj duhet të bëhej kaq shpejt reforma zgjedhore, për t'u testuar në zgjedhje. Që Rama të tregonte që Shqipëria e do BE-në", tha Kryemadhi.

Emisionin "5 Pyetje nga Babaramo" me moderator Ilir Babaramon mund ta ndiqni çdo të hënë në orën 20:55 në ekranin e Report Tv