Një tjetër temë diskutimi në “Studio Live” të moderatorit Arbër Hitaj, ishte edhe dosja e aferës “Partizani” dhe shtyrja e seancave njëra pas tjetrës me procedurë.
Avokati Idajet Beqiri tha sot për Report Tv se kjo është e paprecedentë, një rast ku dukshëm ka presione apo ndërhyrje të Sali Berishës dhe vajzës së tij te trupa gjykuese dhe prokurorët që të zvarritet, pasi nuk ka ndodhur kurrë më parë që një seancë paraprake të shkojë deri në 7 muaj.
Së bashku me avokatin tjetër, Edmond Petraj, ata ranë dakord se kjo ishte e paprecedentë, duke e krahasuar me raste të tjera ku në dosje kishte deri në 50 të pandehur dhe zvarritja nuk kishte shkuar më shumë se 45 ditë.
Beqiri u shpreh se GJKKO po kthehet në “lolo” dhe gjithashtu po e kthen institucionin tek modelet e “Gjin Gjonëve dhe Tik Llallëve”, duke kujtuar ish-gjyqtarin dhe ish-kryeprokurorin e dënuar.
Avokati shfaqi edhe pesimizëm të krijuar nga standardet e dyfishta nga GJKKO-SPAK kohët e fundit për çështje të ndryshme, si rasti i kryebashkiakut Erion Veliaj që mbahet në qeli, pothuajse për akuzë e dosje të ngjashme me atë të Berishës, i cili është i lirë.