Pas dorëheqjes së Lleshajt/ Rama: Çuçi, ministri i ri i Brendshëm! Ikonomi, ministre e Bujqësisë

16 Dhjetor 2020, 15:15 | Përditesimi: 16 Dhjetor 2020, 16:44

TIRANË- Kryeministri Rama ka njoftuar pak më parë emrin e ministrit të ri të Brendshëm. Kryeministri thotë se vendin e Sandër Lleshajt, i dorëhequr nga detyra pas vrasjes së Klodian Rashës do ta zërë Bledi Çuçi, aktualisht ministër i Bujqësisë. Rama njofton gjithashtu se në vend të Çuçit te 'Bujqësia' do të jetë Milva Ikonomi.

"Sot do të dërgoj për dekretim nga Presidenti, Bledi Çuçin si ministër të Brendshëm dhe Milva Ikonomin si ministre bujqësie; dy bashkëpunëtorë të përkushtuar në çdo detyrë që kanë kryer këto vite, me integritet, profesionalizëm dhe kulturë qytetare e politike të padyshimtë", shkruan Rama në Twitter.

Ky vendim i Kryeministrit Rama vjen pasi njoftoi para një jave se pranoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, duke e vlerësuar atë për sensin e përgjegjësisë qytetare.

Sandër Lleshaj u emërua ministër i Brendshëm në tetor të vitit 2018, pas dorëheqjes së ish-ministrit Fatmir Xhafaj. Ai më parë kishte mbajtur për 5 vite detyrën e Këshilltarit të Kryeministrit për Sigurinë Kombëtare.

Kush është Bledi Çuçi
Bledi Çuçi, i propozuar nga Kryeministri si ministri i ri i Punëve të Brendshme, deri më tani ka qenë ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural që prej janarit 2019.  Ai ka lindur në Tiranë, më 14 nëntor 1970. Ai ka një djalë, Endi Çuçi. Ka përfunduar studimet e larta për Drejtësi në Universitetin e Tiranës dhe në vitin 1998, studimet pasuniversitare (Master) për Menaxhim në Universitetin Hasselt në Belgjikë.

Prej shtatorit të vitit 2013 e deri në mars 2017, z. Çuçi ushtroi detyrën si Ministër Shteti për Çështjet Vendore dhe Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit. Në këtë detyrë, ai udhëhoqi punën për përgatitjen dhe zbatimin e Reformës Administrative Territoriale, një nga reformat më të suksesshme të mandatit të parë të qeverisë Rama.

b.ha./Shqiptarja.com