TIRANE - Jep dorëheqjen ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Lajmin e jep kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale i cili njofton se ka pranuar dorëheqjen e Xhafajt, duke e falenderuar atë për kontributin në krye të dikasterit më të rëndësishëm të vendit.

Kreu i qeverisë njofton gjithashtu edhe emrin e ministrit të ri të Brendshëm i cili vjen nga radhët e Forcave të Armatosura dhe mban gradën 'Gjeneral'. Pasardhësi i Fatmir Xhafajt do të jetë Gjeneral Sandër Lleshi, që aktualisht mban detyrën e këshilltarit për sigurinë pranë kryeministrit. Rama i inkurajon ministrin e ri për arritjen e rezultateve pozitive në krye të dikasterit, pasi sipas tij, "traseja" është e shtruar.

Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falenderoj për kontributin e çmuar. Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme. Traseja është e shtruar. Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse.

Edi Rama, kryeministër

Emërimi nga Rama i Sandër Lleshit, ministër i Brendshëm

Nuk dihej ende arsyet e dorëheqjes së Xhafajt, por ai ka qenë në qendër të akuzave të opozitës për çështjen e vëllait të tij për dosjen "Babalja". Fatmir Xhafaj u emërua në detyrën e ministrit të Brendshëm në mars 2017, pas shkarkimit të Saimir Tahirit, i vënë gjithashtu në qendër të akuzave dhe sulmeve të opozitës për bashkëpunim në trafik droge me grupin e Habilajve. Detyrë të cilën Xhafaj do ta linte në maj 2017, pas paktit të 17 majit Rama-Basha dhe do të emërohej ministri teknik Dritan Demiraj. Por pas fitores së zgjedhjeve parlamentare nga PS, Xhafaj u rikthye në të njëjtën detyrë në kabinetin "Rama 2". 

Dorëheqja e Xhafajt vjen e papritur në një kohë kur si ish-ministri, por edhe kryeministri Edi Rama, krenoheshin për punën e policisë së shtetit, në betejën me krimin e organizuar. Vetëm një javë më më parë, "Forca e Ligjit" organizoi një megaoperacion të koduar "VOL-VO 4" në 12 qytete të vendit duke çuar në pranga 34 persona, mes tyre dy ish deputetët e PS, Arben Ndoka dhe Abren Çuko si dhe të tjerët të skeduar si koka të trafikut të drogës dhe organizatorët e laboratorit të heroinës në Has.

Ndërsa në një dalje të përbashkët për mediat me kreun e policisë gjermane, Xhafaj njoftoi se do ketë zhvillime interesante, të cilat nuk vonuan, por njëherazi edhe suprizuan opinionin publik kur kryeministri Edi Rama mëngjesin e kësaj të shtune njoftoi se ka pranuar dorëheqjen e ministrit.

Zhvillimet orë pas ore

Ora 18:30/  Xhafaj tjetër mesazh pas dorëheqjes: Përbuz shpifjet, sfidoj opozitën të provojë akuzat. Koha, gjykatësi më i mirë

Në disa reagime të njëpas-njëshme në Twitter, Xhafaj thotë se që pas dhënies së dorëheqjes ka marrë shumë mesazhe vlerësimi, si edhe falenderon të gjithë ata që i kanë shkruar. Ish-ministri sfidon opozitën për të provuar akuzat në drejtim të tij, që nga sot që nuk është më ministër. Gjithashtu, Xhafaj thekson se i përbuz shpifjet e të gjithë atyre që s’kuptojnë se në politikë ka njerëz të lirë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:48
Burime: Presidenti Meta dekreton shkarkimin e Xhafajt, pritet të vendosë për Sandër Lleshin

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekreton propozimin e kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Kreu i Shtetit pritet të vendosë për emërimin në vend të tij të Gjeneral Sandër Lleshit.

Më herët, Fatmir Xhafaj i paraqiti dorëheqjen Ramës, e cila u pranua nga kryeministri. Sandër Lleshi ka një karrierë të gjatë në Forcat e Armatosura, ndërsa mbante detyrën e këshilltarit të kryeministrit për sigurinë.

Nëse kreu i shtetit do dekretojë edhe emërimin e ministrit të ri Sandër Lleshi, lëbvizjet në kabinet do votohen në Kuvend seancën e ardhshme.

Ora 12:48
Dorëheqja e Xhafajt, PDIU: PS është në opozitë bashkë me ne, në pushtet vetëm Rilindja

Pas dorëheqjes së Fatmir Xhafajt ka reaguar edhe PDIU. Sekretarja e Përgjithshme e kësaj force politike, Mesila Doda u shpreh se ka ardhur koha për të verifikuar maxhorancën, pasi sipas saj sot nuk është më as PS në pushtet, por vetëm Rilindja.

Ramën se shpeton dot më asgjë sepse tani përfundimisht PS është në Opozitë bashkë me ne,  dhe në pushtet është vetëm Rilindja. Vendi ka nevojë që të verifikojë mazhorancën, nëpërmjet zgjedhjeve të përgjithshme dhe vendore. Dorëheqja e Xhafës dhe Tahirit, nuk e shpëtojnë Edi Ramën. Përballë këtij skandali, PDIU mbështet çdo veprim të opozitës së bashkuar për të krijuar klimën e favorshme dhe siguritë e domosdoshme për ndryshimin e pushtetit politik të sotëm që është bazuar dhe ka perfeksionuar blerjen dhe manipulimin e votës, një sistem që ka ngritur Rilindja e Edi Ramës në bashkpunim me bandat elektorale të vendit.

Mesila Doda, PDIU

Ora 11:53
Pas dorëheqjes, Xhafaj mbërrin te Ministria e Brendshme: Hera e parë që vij me vonesë (VIDEO)

Ministri i Brendshëm në detyrë, Fatmir Xhafaj ka mbërritur në zyrën e tij në Ministrinë e Brendshme, pas dorëheqjes që dha nga posti. Në një koment të shkurtër për mediat teksa hynte në Ministrinë e Brendshme, Xhafaj falenderoi gazetarët, por edhe familjen e tij.

Hera e parë që vij kaq me vonesë, pas një mbledhje shumë të këndshme me bashkëshorten, familjen time dhe me mbesën. Kalova një mëngjes shumë të këndshëm me bashkëshorten dhe familjen time, sigurisht dhe me mbesën. Të dytët që takoj jeni ju dhe jam shumë i lumtur që ju takoj, pasi kemi bashkëpunuar mirë, shumë mirë dhe jam mirënjohës për gjithë cfarë kemi bërë sëbashku.

Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm

Ora 11:28
Fatmir Xhafaj flet për herë të parë pas dorëheqjes: Me vullnetin tim i paraqita kryeministrit largimin nga detyra

"Me vullnetin tim, i kam paraqitur Kryeministrit Edi Rama dorëheqjen time si Ministër i Brendshëm, duke e falënderuar për besimin e dhënë me emërimin në këtë detyrë të rëndësishme". Kështu shprehet Fatmir Xhafaj në një deklaratë të shpërndarë për mediat pas dorëheqjes nga posti i ministrit të Brendshëm. 

Deklarata e plotë:

Pas më shumë se 1 viti në krye të Ministrisë së Brendshme, me vullnetin tim, i kam paraqitur Kryeministrit Edi Rama dorëheqjen time si Ministër i Brendshëm, duke e falënderuar për besimin e dhënë me emërimin në këtë detyrë të rëndësishme.

Erdha në këtë detyrë për një mision të vështirë, shërbeva me pasion, me modesti dhe me devotshmëri në shërbim të shtetit, të ligjit dhe të qytetarëve.

Sfidat kanë qenë tepër të mëdha, por jam krenar se në krye të një ekipi me integritet e përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kemi mundur të arrijmë suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend, disa prej tyre të konsideruara të pamundura për vite të tëra.

Falënderoj të gjithë ekipin, kolegët, miqtë e mi dhe veçanërisht familjen time, si dhe të gjithë ata që më vlerësuan, besuan dhe më mbështetën gjatë gjithë kësaj periudhe. 

Vlerësim dhe mirënjohje nga zemra për të gjithë ata gra dhe burra në uniformë, për gjithçka bënë gjatë kësaj periudhe në luftë me krimin dhe paligjshmërinë. Një falënderim i veçantë edhe për partnerët vendas dhe ata të huaj, agjencitë ligj zbatuese vendase e ndërkombëtare, mbështetja e të cilëve ka qenë një inkurajim shumë i rëndësishëm.

Ora 10:25
Berisha: Rama bëri 'kurban' Xhafajn për të shpëtuar Vangjush Dakon

Reagimeve të opozitës pas dorëheqjes së Fatmir Xhafajt, i është shtuar edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Në një postim në Facebook, Berisha thotë se Rama bëri kurban Xhafajn për të shpëtuar kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako. Ky i fundit është përgjuar në biseda telefonike nga Prokuroria me anëtarë të grupit kriminal Avdylaj, të cilët u arrestuan në kuadër të megaoperacionit "VOL-VO 4". 

Reagimi i Berishës:

Edvini, kreu i meduzes, mafies shteterore me te rrezikshme te Europes, shiti Xhafen per te shpetuar Gjushin dhe lekuren e tij! Te dashur miq, pas nje beteje te furishme, opozita shqiptare ia doli ti jape nje goditje te merituar familjes mafioze Xhafaj, Agron/Geroni ne burg dhe aty e ka vendin Fatzi Xhafa, njeru qe futi ne polici te gjitha metodat e punes te mafies se policise sekrete hoxhiste per te mbrojtur lekuren dhe karrigen e tij.

Ne nje aspekt opozita ia doli. Por shtylla kryesore e botes se mafies, krimit te organizuar, korrupsionit, kreu i meduzes ne Shqiperi eshte Edvin Kristaq Rama, i cili ne nje moment kritik per veten e tij sakrifikoi Xhafen per Gjushin dhe vendosi ne krye te ministrise nje vasal te tij. Kakistokracia e Shqiperise eshte ne agoni. Asgje, asnje vasal as dhe paterice nuk shpeton Noriegen nga verdikti i afert i revoltes popullore. sb

Ora 09:39
Dorëheqja e Xhafajt, Basha: Hap i rëndësishëm në betejën tonë për të pastruar politikën nga krimi

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas dorëheqjes së ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Në një status në rrjetet sociale, Basha e cilëson dorëheqjen e Xhafajt një hap të rëndësishëm sipas tij në betejën për të pastruar politikën nga krimi.

Largimi i Fatmir Xhafës, të vetmit ministër të brendshëm në Europë me vëllain trafikant droge, është një hap i rëndësishëm në betejën tonë për të pastruar politikën nga krimi. Me Fatmir Xhafën krimi vuri nën kontroll të plotë policinë dhe prokurorinë. Por largimi i tij është vetëm fillimi i shkërmoqjes së bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin. Beteja për çlirimin e politikës, ekonomisë dhe shoqërisë nga krimi do të vazhdojë deri në fitore. Shqiptarët meritojnë një qeveri që punon për njerëzit.

Lulzim Basha, kryetar i PD

Ora 09:20
Dorëheqja e Fatmir Xhafajt, vjen reagimi i parë nga opozita, Vasili: Po kryeministri ç'bën ende në detyrë?

Vjen reagimi i parë nga opozita, pas dorëheqjes së ministrit të brenshëm Fatmir Xhafajt. Është deputeti i LSI, Petrit Vasili që ka reaguar në rrjetet sociale, duke thënë se bashkë me Xhafajn duhet të kishte ikur edhe Rama. Ai shton se ky kryeministër është pa të ardhme dhe i shplarë politikisht.

Reagimi i Vasilit:

Po ky kryeminister i shplare politikisht dhe moralisht, pa te shkuar dhe pa asnje te ardhme ç’ben akoma ne ate zyre. Apo sigurisht zvarritet edhe ca, per te ikur turpshem dhe pa asnje dinjitet sic vetem ai mund te iki. Dorëheqja e Xhafajt ka qenë një vendim i papritur brenda radhëve të qeverisë, ndërsa kryeministri Rama ka gjetur dhe pasuesin e tij, do të jetë gjeneral Sandër Lleshi. Ky i fundit ka qenë këshilltari i kryeministrit Rama për çështjen e sigurisë kombëtare.

Xhafaj ka qenë një nga ministrat më të sulmuar të qeverisë Rama për shkak të dënimit të vëllait të tij për çështje droge në Itali. Fatmir Xhafaj ka pasuar Saimir Tahirin në postin e ministrit të brendshëm, dhe ka qenë një nga personat që ka qenë pararojë e hartimit të Reformës në Drejtësi, duke mbajtur shumë poste të rëndësishme edhe brenda PS-së. Ai u emërua si ministër në Marsin e vitit të shkuar.