Përmirësohet situata pas reshjeve të borës dhe erës! Rrugët kombëtare të gjitha të kalueshme! Vazhdon pezullimi i mësimit në disa zona

14 Janar, 15:29

Pas dy ditësh u hap sot bypass i Qafë Murrizit në Rrugën e Arbrit, siç shihet në pamjet që sjell Report TV. Lëvizja nga Tirana në Dibër kryhet me goma dimërore por këshillohet pajisja me zinxhirë, pasi era grumbullon dëborën në rrugë dhe mund të nevojitet përdorimi i tyre. Për shkak të ngricave, akset nacionale që lidhin Peshkopinë me Kukësin dhe Librazhdin janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.

Rrugët kombëtare janë të hapura, por jo ato rurale ku dëbora shkon deri në 1 metër. Vazhdojnë të mbeten në izolim fshatrat e Dibrës, Maqellarë, Melan, Luzni, Muhurr,  Kalaja e Dodës me fshatrat Sllovë, Selishtë dhe Arras.

Në bashkinë Bulqizë të bllokuar kane mbetur banorët e Ostrenit, Zerqanit, Trebisht, Klenjë, Gjoricë. Në bashkinë Klos, fshatrat Gurë dhe Xibër. Në Mat të izoluar janë Komsia dhe Macukulli, - tha Çako. Shkollat në këto zona vazhdojnë të jenë të mbyllura, ndërsa ka dhe mungesë të energjisë elektrike.