Pipero për Report TV: Vaksinimi po jep efekte pozitive, në qershor arrijmë imunitetin kolektiv!

18 Maj 2021, 17:38

Vaksinimi masiv ka sjellë efekte pozitive për sa i përket uljes së rasteve të reja të qytetarëve të infektuar me Covid në vendin tonë. Kështu deklaroi në një intervistë për Report Tv mjeku infeksionist Pëllumb Pipero i cili e konsideroi fushatën e vaksinimit masiv në vend një histori suksesi. Pipero tha më tej se në fund të këtij muaji mund të arrijmë 1 mln të vaksinuar dhe se në mesin e muajit qershor mund të arrihet imuniteti kolektiv.

‘Po përfitojmë efektet e para pozitive të vaksinimit masiv në vendin tonë. Studimet në vendet e tjera, psh. në Itali kanë dëshmuar se rritja e numrit të rasteve të vaksinuar qoftë edhe vetëm me dozën e parë ka mundësuar uljen e transmetueshmërisë së virusit dhe uljen e vdekshmërisë me 90%. Po përjetojmë efektet vaksinimit anti COVID, ç’ka reflektohet me numrin e rasteve të reja që raportohet a reflektohet me numrin e rasteve të reja që raportohet çdo ditë dhe numri të vdekjeve. Numri i tamponëve të marrë ka qenë i lartë,  e infektimeve apo indicie e rasteve pozitive është 2-3% dhe situata është në kontroll. Procesi i vaksinimit në vendin tonë mund ta konsideroja një histori suksesi. Unë besoj se ndoshta deri në fund të këtij muaji ne do të arrijmë 1 mln të vaksinuar në Shqipëri. Krahas vaksinimit dhe ekspozimit të qytetarëve ndaj COVID -19, mesi i muajit qershor do të arrijmë imunitetin kolektiv.’- tha Pipero.

Sa i përket masava anti-Covid që janë në fuqi, Pipero theksoi se treguesit pozitiv të ecurisë së pandemisë, do të bëjnë që të rishikohen masat shtrënguese. Pipero tha se beson se shumë shpejt Komiteti i Ekspertëve do të vendosë që të mos mbahet maska në ambiente të hapura, ndërkohë që sugjeroi se në mjedise të mbyllura është e nevojshme. Mjeku tha më tej po ashtu se edhe ora policore brenda muajit do të hiqet dhe do të rishikohen masat për baret dhe restorantet.

‘Për shkak të treguesve pozitiv të ecurisë së pandemisë ne vendin tonë, mendoj se duhet të rishikohen masat shtrënguese pasi indikatorët janë shumë pozitiv për të na mundësuar lirimin e masave shtrënguese. Qytetarët duhet të respektojnë distancën dhe higjienën. Maska mund të rezervohet për mjediset e mbyllura. Komiteti Teknik i Ekspertëve besoj shumë shpejt do të na lirojnë nga mbajtja e maskës në mjedise të hapura. Besoj se edhe brenda muajit do të rishikohet dhe ora policore, pse jo edhe për baret dhe restorantet. Besoj se indikatorët janë pozitiv për të lehtësuar masat. Ne duhet të respektojmë masat anti-covid. Maska në mjediset e mbyllura do të në duhet edhe për mjaft kohë.’- u shpreh ndër të tjera Pipero.