Policia asiston hyrjen e kryetarëve të rinj në ndërtesat komunale në veri

26 Maj 2023, 13:30 | Përditesimi i fundit: 2023-05-26 20:30:23

Policia e Kosovës njoftoi se është "duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse".

Udhëheqësit e këtyre komunave me shumicë serbe - që të gjithë shqiptarë - u betuan një ditë më herët në ndërtesa publike, si shkollat, për shkaqe të sigurisë.

Mesditën e së premtes në të katër komunat me shumicë serbe në veri u dëgjuan sirena alarmi, ndërkohë që para objekteve komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq u mblodhën edhe qytetarë.

Radio Evropa e Lirë mësoi se disa kamionë janë të parkuar në mes të rrugëve në hyrje dhe dalje të Leposaviqit.

Ish-këshilltari në Kuvendin Komunal të Zubin Potokut, Milija Bishevac, tha për Radion Evropa e Lirë se qytetarët janë mbledhur para ndërtesës së komunës të bindur se “kryetari i sapozgjedhur, Izmir Zeqiri, po tenton të hyjë në objekt”.

“Ka makina, ku besohet se gjendet ai [kryetari i qytetit] dhe se ai po përpiqet të hyjë në ndërtesën e komunës”, tha Bishevac.