Prangosja nga SPAK e 9 zyrtarëve për tenderin disa miliardësh, Report Tv siguron dosjen e plotë! Ç'ndodhi gjatë prokurimit, inxhinierja që zbuloi gjithçka

12 Korrik 2021, 11:45 | Përditesimi i fundit: 2021-07-12 16:32:07

TIRANË-Tre ditë më parë SPAK përmes një operacioni ka prangosur 9 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme për abuzime në tenderin e blerjes së uniformave të Policisë së Shtetit me vlerë 2.8 miliardë lekë. Ndër të arrestuarit ishte edhe drejtoresha Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari.

Report Tv ka siguruar dosjen e hetimeve të zhvilluar nga SPAK, ku shpjegohet nga autoritetet hetimore se çfarë ka ndodhur gjatë prokurimit dhe si u arrit deri në hetimet e SPAK që çoi në prangsojen e zyrtarëve që firmosën. Në dosjen e SPAK sqarohet se njoftimi për tender është publikuar edhe në prestigjiozen ndërkombëtare 'Financial Times'. 

Një prej anëtareve të Njësisë së Prokurimit, inxhinierja tekstile në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aurora Mulla, nuk e ka firmosur tenderin, duke ngritur madje shqetësimin për abuzimin që po bëhej. Ajo thotë se nuk ka pranuar t’i nënshkruajë dy tabela për faktin se ishin bërë ndryshime nga anëtarët e tjerë të Njësisë së Prokurimit në sasitë e pritshme të artikujve dhe ajo nuk ka qenë dakord. Si dhe nuk ka nënshkruar as dokumentet standarde të tenderit te dokumenti. 

Siç tregohet në dosjen e SPAK, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme kanë ndryshuar sasinë e uniformave, që do të merrnin, por nuk kanë ndryshuar çmimin e tenderit prej 2.8 miliardë lekësh, duke shkelur hapur standardet e garës. Një tjetër pikë problematike është fakti se në një nga tenderat thuhej se 35 milionë lekë do të shkonin për sistemin elektronik të shpërndarjes së uniformave, që nuk u realizua kurrë.

Ky lot i tenderit nënkuptonte që çdo punonjës policie të ishte i pajisur me një kartë që të mund të tërhiqte uniformën e tij, por asnjë prej efektivëve nuk e pati një të tillë, dhe paratë e caktuara në tender janë pervetësuar pa të drejtë nga ana e kompanisë.

Më 10  korrik u arrestuan  ish drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruar Edlira Naqellari dhe bashkëpunëtorët e saj anëtarët e njësisë së prokurimit, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleivis Hasani dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj. Këto arrestime janë bërë në lidhje me tenderin abuziv të  11 majit 2020 në lidhje me uniformat e policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. SPAK ka përgjuar dhe vëzhguar 9 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, ndërsa kanë qenë bashkëpunëtorët e drejtësisë ata që kanë 'zbërthyer' skemën e abuzimit me tenderin. Ky tender është refuzuar të firmoset nga një anëtar i Komisionit dhe një anëtar i prokurimeve.

Procedurat e tenderimit nisën që në 2019-ën dhe sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, tenderi duhet të ishte i ndarë në tre pjesë të ndryshme, duke filluar më uniformat, këpucët dhe shpërndarja. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Brendshme ka bërë bashkimin e të tre këtyre pjesëve në vetëm një të tillë, çfarë ka çuar deri në rritje të çmimit, ulje të sasisë së materialeve dhe reduktim të cilësisë.

Fituesi i tenderin me vlerë 2.8 miliardë lekë, që ishte bashkimi i 4 operatorëve ekonomik, një kompani shqiptare “D&E shpk”  dhe 3 kompanive të huaja “Summer Conf s.r.l”, kompania “Lovers s.r.l”  dhe kompania YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN. TIC. kishte mangësi në plotësimin e dokumentacionit, dhe se janë skualifikuar kompani që kanë ofruar çmime më konkurruese.