Premtuan leje legalizimi e punësime në zgjedhjet e 2019, SPAK çon për gjykim ish-kryeplakun e Saukut dhe 3 të tjerë

9 Prill, 19:41 | Përditesimi: 9 Prill, 19:41

 Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim katër të pandehur për një hetim të regjistruar në mars 2020 për korrupsion zgjedhor. Bëhet fjalë për zgjedhjet e 2019, ku 3 ish-zyrtarët e pandehur bashkë premtonin leje legalizimi në zonën e Saukut në Tiranë, si edhe punësime në këmbim të votës për PS.

SPAK në një deklaratë për mediat, njofton se është marrë i pandehur Dritan Stoka, asokohe zyrtar në Drejtorinë e Përgjithshme të Kadastrës, Agim Osma, kryeplak i Lagjes së Re në Sauk, Alqi Hajdinin, ish-jurist dhe sekseri Ylli Baruti. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. 

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, SPAK thotë se kanë kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të zgjedhësve duke i detyruar për të votuar ose duke përcaktuar mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve të parregullta; qëndrimin në punë apo edhe nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut Tiranë.

I.M/Shqiptarja.com