Presidenti i PE, Sassoli: BE të mbajë premtimet, Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e saj!

6 Qershor 2021, 13:41 | Përditesimi: 6 Qershor 2021, 13:41

Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli ka bërë thirrje për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke thënë se zgjerimi i BE do të ishte pozitiv për paqen dhe prosperitetin të rajonit. Megjithatë për Sassolin se sa shpejt këto vende mund t'i bashkohen BE-së varet edhe nga përmbushja e kritereve të pranimit nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Zgjerimi mund të sjellë përfitime të mëdha si për rajonin ashtu edhe për Evropën. Ndihmon në sigurimin e një kontinenti të qëndrueshëm, të begatë dhe paqësor. Reformat duhet të përfundojnë ende në secilin prej këtyre vendeve, por Bashkimi Evropian duhet gjithashtu të mbajë premtimet e tij dhe të njohë progresin", tha Sassoli për mediat gjermane.

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama, në një intervistë për gazetën gjermane 'Bild', tha se BE ka thyer premtimet e saj dhe po  krijon një përçarje në popujt e Ballkanit me ‘cinizëm politik’. Historia e hapjes së negociatave, tha Rama, është bërë si historia "Duke pritur Godonë, vetëm flitet, por asgjë nuk ndodh!”.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë kandidatë zyrtarë për të nisur negociatat me BE, por procesi është bllokuar për shkak të vetos që Bullgaria vuri vitin e kaluar për Maqedoninë e Veriut mbi një mosmarrëveshje të gjuhës dhe historisë.

Bullgaria akuzon Maqedoninë e Veriut për "vjedhjen e historisë" dhe kërkon që Shkupi të pranojë se si identiteti ashtu edhe gjuha e saj janë bullgare.

 

b.ha./Shqiptarja.com