Mbrëmjen e sotme në emisionin Repolitix në Report Tv u diskutua për protestën e studentëve, që po mbyll ditën e nëntë, teksa një grup i vogël vijojnë tubimin para Kryeministrisë, ndërsa një tjetër para Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Të ftuar në emision ishin studentët Liri Kuci, Arlinda Gera e Çeldo Brahimaj dhe gazetarja e Report Tv, Erjona Rusi. Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për dialog duke premtuar plotësimin e kushteve, madje duke shkuar përtej tyre.
Por, Liri Kuci u shpreh se “Është kujtuar pak vonë për negociata, pasi duhet të ishin bërë në krye të herës, jo tani’. Çeldo Brahimaj theksoi se ‘kupa u mbush për disa arsye prandaj u ngritëm në protestë’. Ndërsa Arlinda Gera tha se ‘qëllimi jonë nuk është revolucioni, nuk jemi gati për këtë, të plotësohen tetë kërkesat’. Studentët paralajmëruan se nesër do të protestojnë para parlamentit, pasi është seanca plenare, ndërsa pritet të shihet nëse opozita do të thyejë bojkotin, pasi LSI ka depozituar dy amendamente për ndryshime për arsimin e lartë, referuar kërkesave të studentëve.