Punonjësit e pastrimit në Gjirokastër protestë para Bashkisë: Duam rritjen e pagave, na është premtuar prej një viti! Presion se do na heqin nga puna

6 Dhjetor 2024, 10:07 | Përditesimi: 6 Dhjetor 2024, 14:32

GJIROKASTËR- Punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit në qytetin e Gjirokastrës janë ngritur sot në protestë. Prej orëve të para të ditës, ata janë grumbulluar para godinës së Bashkisë Gjirokastër për të kërkuar sikurse thonë ata vetë, rritje page që iu është premtuar gjatë këtij viti prej autoriteteve bashkiake.

“Kemi ardhur për problemin e shtesës së rrogës. Kërkojmë edhe hakun tonë, nuk kërkojmë tepër. Uniformat nuk na i japin tamam siç duhet, na rrinë këmbët si në allçi. Punën e kërkojnë. Marrim lejen, lekët e lejes nuk i jepen.

Kam një fëmijë. Prej 1 viti e 6 muaj na kanë thënë që do rriten rrogat. Ne nuk shohim as rritje rroga asgjë këtu. Na thonë do u blemë veshje, jelekë, çizme. Nuk i duam fare, të na rrisin rrogat. Kaq është e drejta jonë. Të paktën të dimë edhe në se çfarë të marrim. Ne marrim 350 mijë lekë të vjetra”, shprehet punonjësit.

r.k./Shqiptarja.com