Qeveria merr vendimin, trualli i Teatrit Kombëtar i kalon bashkisë së Tiranës: I ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë

31 Korrik 2021, 13:59

Qeveria ka vendosur që sipërfaqja e truallit ku ishte ndërtuar Teatri Kombëtar, të kalojë në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

Vendimi është marrë një ditë më parë në Mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Në VKM thuhet se kalon në pronësi të bashkisë së Tiranës, lloji “truall”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë, me sipërfaqe totale 5 522.7 (pesë mijë e pesëqind e njëzet e dy pikë shtatë) m2, ku ka qenë godina e Teatrit Kombëtar, e cila tashmë nuk ekziston më si godinë.

Qeveria ka shfuqizuar vendimin e vitit 2020, që rrëzoi Gjykata Kushtetuese, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, si i papajtueshëm me Kushtetutën. Në VKM përcaktohet qartë se Bashkisë së Tiranës i ndalohet që të ndryshojë destinacionin e pasurisë, ta tjetërsojë atë apo t’ua japë të tretëve në përdorim.

Pasi Gjykata Kushtetuese, rrëzoi vendimin e qeverisë në vitin 2020, që e kalonte pronësinë e truallit të ish-godinës sëTeatrit nga Ministria e Kulturës te Bashkia e Tiranës, qeveria hartoi një projektvendim që i kalon bashkisë tokën ku ishte teatri.

Në projektvendim thuhet se prona i kalon bashkisë, pasi Ministria e Kulturës nuk ka parashikuar fonde për ndërtimin e një teatri të ri, ndërsa nga Bashkia e Tiranës janë bërë tashmë disa veprime paraprake. Po ashtu një tjetër arsye është edhe fakti se sipërfaqja tjetër përreth teatrit, është gjithashtu në pronësi të bashkisë.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë të gjithë bazën ligjore për ndërtimin e Teatrit të ri kombëtar, ndërsa nuk pranoi kërkesën e Presidentit Ilir Meta për shpalljen antikushtetuese të shembjes së Teatrit.