'Kushtetuesja' pezullon ndërtimin e Teatrit Kombëtar, rrëzon ligjin special PPP dhe kalimin e truallit në pronësi të Bashkisë Tiranë! Por prishja e godinës nuk cilësohet antikushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka vendosur sot të rrëzojë të gjithë bazën ligjore për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar, ndërsa nuk ka pranuar kërkesën tjetër të Presidentit Ilir Meta për shpalljen antikushtetuese të shembjes së teatrit, duke mos arritur një shumicë prej 5 votash. 

E vënë në lëvizje nga Ilir Meta, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar ligjin nr. 37/2018, për negocimin dhe lidhjen e kontratës me një palë private për projektimin dhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Ligji është miratuar në 5 korrik 2018. U kthye për rishqyrtim nga Meta në 27 korrik 2018, por u miratua sërish pa ndryshime nga Kuvendi.

Sipas njoftimit paraprak të Kushtetueses, ky ligj cenon lirinë ekonomike, parimin e shtetit të së drejtës, në kuadër të vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare, duke shkelur nenet 3, 11 dhe 17 të Kushtetues.

Ligji parashikonte krijimin e një komisioni me përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Kulturës, Avokatura e Shtetit dhe Trupa teatrore për shqyrtimin e propozimeve dhe negocimin me palë private për ndërtimin e teatrit të ri. Bashkia e Tiranës është ngarkuar për hartimin dhe administrimin  e dokumenteve të procedurës për vlerësimin dhe negocimin e kontratës. Bashkia gjithashtu publikonte shpalljen për aplikimet dhe pranonte projektet nga palët e interesuara. Sipas ligjit, komisioni shqyrton projektet, ndërsa kompanitë mund të ankoheshin tek kryetari i bashkisë së Tiranës, i cili vlerësonte vendimmarrjen e komisionit dhe në fund merrte edhe vendimin për projektin. Gjithashtu, kryetari i bashkisë do të lidhte kontratën me investitorin. Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar jo të rregullt këtë procedurë.

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar edhe vendimin e qeverisë nr. 377 datë 08.05.2020, për kalimin e teatrit dhe truallit në pronësi të Bashkisë së Tiranës. VKM-ja është rrjedhojë e ligjit për ndërtimin e teatrit të ri. Sipas gjykatës, VKM-ja shkel parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës. Presidenca pati kërkuar edhe rrëzimin e vendimit të këshillit bashkiak të Tiranës 50/2020, për shembjen e Teatrit. Kjo kërkesë nuk është pranuar, pasi nuk votuar 5 anëtarë pro saj, që është edhe kuorumi minimal.

Tashmë ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar shkon në dorë të Qeverisë qendrore, e cila do të nisë nga fillimi procedurat pasi prona do të kalojë serish në pronësi të Ministrisë së Kulturës dhe ligji special PPP për ndërtimin e teatrit tashmë nuk mund të jetë më në fuqi. 

Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike të datave 03.06.2021, 15.06.2021 dhe 16.06.2021 çështjen me kërkues Presidentin e Republikës së Shqipërisë, me objekt:
- Shfuqizimi i ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”” (ligji nr. 37/2018), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.
- Shfuqizimi i vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”(VKM nr. 377/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.
- Shfuqizimi i vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar” (VKB nr. 50/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën.
- Pezullimin e zbatimit të këtyre akteve deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:
- Ligji nr. 37/2018 cenon:
Lirinë e veprimtarisë ekonomike të sanksionuar nga neni 11 i Kushtetutës në raport me nenin 17 të saj;
Parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës në raport me nenin 3 të saj, në drejtim të procesit të vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare nga institucionet përkatëse;
Parimin e decentralizimit dhe të autonomisë vendore të sanksionuar në nenin 13 të Kushtetutës.
- VKM-ja nr. 377/2020 cenon:
Parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës.
Ndërsa për sa i përket VKB-së nr. 50/2020 nuk u formua shumica prej 5 votash e parashikuar nga neni 73, pika 4, i ligjit nr. 8577/2000, në lidhje me juridiksionin e kësaj Gjykate për shqyrtimin e saj.  

Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,

VENDOSI:

1. Pranimin pjesërisht të kërkesës;
2. Shfuqizimin e ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar””, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
3. Shfuqizimin e vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”,  si i papajtueshëm me Kushtetutën.
4. Rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
5. Pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018 dhe VKM-së nr. 377/2020 deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Godina e Teatrit Kombëtar u rrafshua mëngjesin e 17 majit 2020, ngjarje e cila solli protesta dhe përplasje fizike mes aktivistëve për mbrojtjen e teatrit dhe policisë. Shembja e godinës u realizua pasi kryebashkiaku Erion Veliaj arriti marrëveshjen me disa nga artistët për ndërtimin e godinës së re. Por, artistët u ndanë në dy grupe, pro dhe kundra shembjes së teatrit. PD-LSI u pozicionuan kundër shembjes së Teatrit, duke e kthyer madje edhe në një nga kauzat opozitare. Duke u pozicionuar në krah të PD-LSI, Presidenti Ilir Meta, në korrik të vitit 2019, depozitoi një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e ligjit nr. 37/2018 të Kuvendit, i cili parashikonte ndërtimin e një teatri të ri, rrjedhimisht shembjen e godinës dhe rrëzimin për kalimin e teatrit në pronësi të Bashkisë së Tiranës, kërkesa për të cilën Gjykata Kushtetuese vendosi sot.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:21
Vendimi i 'Kushtetueses' për Teatrin, Ndreca ironizon Bardhin: Jo vetëm rezultatet elektorale, as vendimet e gjykatës s'po mësojnë t'i lexojnë këta

Të shumta kanë qenë reagimet nga palët pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Teatrit Kombëtar. Juristi i njohur, Plarent Ndreca ka ironizuar Gaz Badhin pas interpretimit të tij.

Bardhi tha se vendimmarrja e sotme e Gjykatës Kushtetuese është vetëm hapi i parë, prova e pakundërshtueshme për abuzimin me pushtetin nga qeveria.

Gjykata Kushtetuese, miraton vendimin e Këshillit Bashkiak Tiranë, për prishjen e Teatrit Kombetar. Gaz Bardhi: “Gjykata Kushtetuese merr ne mbrojtje Teatrin Kombëtar”. Jo vetëm rezultatet elektorale, po as vendimet e gjykatës nuk po mësojnë ti lexojnë këta.” -shkruan Ndreca.

Ora 18:44
Vendimi i Kushtetueses për teatrin, PD: SPAK s’mund të fshihet më, të ndjekë penalisht çdo zyrtar publik të përfshirë në këtë paligjshmëri, duke filluar nga Rama

PD ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me teatrin Kombëtar, ku shprehet se tani duket të flasë SPAK dhe të mos hesht më duke hetuar penalisht çdo zyrtar publik të përfshirë në këtë shembjen e teatrit, duke filluar nga Edi Rama. Përmes sekretarit të përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi tha se vendimmarrja e sotme e Gjykatës Kushtetuese është vetëm hapi i parë, prova e pakundërshtueshme për abuzimin me pushtetin nga Edi Rama dhe Erjon Veliaj.

Deklarata e plote e PD

Sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë në Shqipëri. Arroganca, dhuna, paligjshmëria humbën betejën e tyre përballë qëndresës, qytetarisë dhe interesit publik.Partia Demokratike përshëndet vendimin e Gjykatës Kushtetutese për të shpallur si antikushtetues veprimet e Qeverisë dhe Bashkisë për prishjen e një pasurie kombëtare, si Teatri Kombëtar, me qëllimin e vetëm për ti hapur rrugë një afere të rëndë korruptive. Shfuqizimi i ligjit special dhe VKM që i kalon pronësinë Bashkisë Tiranë, bën nul, bën antikushtetues, të paligjshëm, çdo veprim të kryer nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet e tjera të përfshira, pavarësisht se për këto akte nuk është kompetente për shqyrtim Gjykata Kushtetuese. Ky vendim merr në mbrojtje Teatrin Kombëtar, duke e cilësuar si një pasuri që përbën trashëgimi kulturore të Shqipërisë.

Teatri është një plagë e hapur në zemër të Tiranës. Sot ai shesh, i zhveshur dhunshëm nga historia e tij është një tjetër vijë ndarëse midis qytetarëve që duan një Shqipëri demokratike dhe një pakice që uzurpoi, plaçkiti dhe shkatërroi një nga institucionet më të shenjta të kombit.

Shkaktarët e kësaj plage janë ata që penguan dhunshëm ndryshimin në 25 prill dhe që mbajnë peng vendin prej 8 vitesh me arrogancë, korrupsion, klientelizëm, paratë e krimit dhe armiqësinë e verbër ndaj trashëgimisë kulturore, ndaj çdo pasurie të kombit tonë.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ekspozon para shqiptarëve dhe mbarë botës fytyrat e barbarëve që shembën Teatrin dhe goditën në zemër demokracinë, duke përfituar nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese.

Mirënjohje të thellë për artistët, qytetarët dhe qëndrestarët që nuk u pajtuan kurrë me marrëzinë e një regjimi që dialogun e kryen me fadroma dhe teatrot i përdor si lavatrice për paratë e Ndraghetës.

Mirënjohje për mbështetësit e Partisë Demokratike që ishin në krahë të aktivistëve për Teatrin, në mbrojtje të interesit publik dhe që u bënë pre e dhunës barbare policore.

Vendimmarrja e sotme e Gjykatës Kushtetuese është vetëm hapi i parë, prova e pakundërshtueshme për abuzimin me pushtetin nga Edi Rama dhe Erjon Veliaj.

Pas Gjykatës Kushtetuese, radhën e ka Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK. Autorët e këtij krimi të rëndë kushtetutes dhe ligjor, me pasoja të rënda për interesin publik dhe pasurinë tonë publike, kanë emër dhe mbiemër, janë të gjithë të identifikuar dhe duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë përpara ligjit. Ata janë Edi Rama dhe Erjon Veliaj.

 

Erjon Veliaj që edhe sot vijoi hapur të sfidojë drejtësinë, të sfidoi vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetutese, të injoroi faktin se në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit ka shkatërruar një pasurie kombëtare, duhet të arrestohet menjëherë.

Duke shpërdoruar rëndë detyrën, në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjit, Erjon Veliaj është autori dhe përgjegjësi direkt për një dëm me vlerë të jashtëzakonshme për pasurinë tonë kombëtare.

Krimi tashmë nuk fshihet dot më. Prandaj edhe SPAK nuk mund të fshihet më. Provën e paligjshmërisë ulëritëse e ka tashmë gati nga Gjykata Kushtetuese. Tani është koha për të vepruar, për të na treguar të gjithëve se pandëshkueshmëria ka marrë fund, që askush nuk është mbi ligjin, që kushdo është i barabartë përpara ligjit.

SPAK duhet të marrë nën përgjegjësi penale edhe çdo zyrtar publik të përfshirë në këtë paligjshmëri, duke filluar nga Edi Rama e deri tek çdo punonjës policie që u përfshi në aktin e dhunës për shembjen barbare të Teatrit Kombëtar.

Në këtë betejë Partia Demokratike do të mbetet në krah të qytetarëve, sepse vijimi i betejës kundër një regjimi që turpëron Shqipërinë para gjithë botës, është edhe vijimi i betejës për Teatrin aty ku ishte dhe ashtu sic ishte, është vijim i betejës për historinë tonë, vijim i betejës për kthimin e legjitimitetit, vijimi i betejës për kthimin e demokracisë, vijimi I betejës për t’ua kthyer Shqipërinë shqiptarëve!

Ora 18:18
Vendimi i Kushtetueses për Teatrin, Neritan Liçaj: Horra, uluni ne gjunjë dhe kërkoni falje

Aktori Neritan Liçaj, një nga aktivistët që mbrojti më shumë kauzën e Teatrit Kombëtar, ka reaguar pas dhënies së vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Liçaj ka kërkuar nga autoritetet që të kërkojnë falje, pas vendimit të Kushtetueses.

“Kam aq shume per te them dhe shkruar sa do te duheshin tre dite e me tepër…po them vetëm horra uluni ne gjunje dhe kërkoni falje”, shkruan Liçaj.

Ora 17:24
Vendimi i Kushtetueses për teatrin, Vetëvendosje: Shënon fitore për mbrojtjen e trashëgimisë dhe rezistencën qytetare

Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për teatrin kombëtar. Vetëvendosje shkruan se ky vendim shënon një fitore për mbrojtjen e trashëgimisë, qytetin dhe rezistencën qytetare. Sipas Vetëvendosjes ky vendim është vetëm hapi i parë në rrugën e vendosjes së drejtësisë ndaj krimit institucional të shembjes së këtij monumenti të trashëgimisë kulturore.

“Ditën e sotme, Gjykata Kushtetuese (GJK) ka shpallur si antikushtetues Ligjin Special për Teatrin Kombëtar (TK) dhe vendimin për shembjen e tij më 17 maj 2020. Njëkohësisht GJK ka ndaluar punimet për një objekt të ri mbi truallin e Teatrit. Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri e përshëndet këtë vendim që shënon një fitore për mbrojtjen e trashëgimisë, qytetin dhe rezistencën qytetare.

Ky është vetëm hapi i parë në rrugën e vendosjes së drejtësisë ndaj krimit institucional të shembjes së këtij monumenti të trashëgimisë kulturore dhe dhunës së shfrenuar policore. Me këtë vendim, protestat në mbrojtje të Teatrit Kombëtar u dëshmuan të drejta. Tani Teatri Kombëtar duhet rindërtuar mbi truallin e vet, me teknikat dhe materialet autentike për të ruajtur memorien kolektive dhe trashëgiminë tonë të përbashkët.

Nga ana tjetër, për ta çuar drejtësinë deri në fund, institucionet duhet të hetojnë dhe ndëshkojnë përgjegjësit në zyrat e pushtetit që morën vendimin e shembjes dhe urdhëruesit e dhunës policore mbi qytetarët që mbrojtën Teatrin Kombëtar”, shkruan Vetëvendosje.

Ora 16:55
Vendimi i Kushtetuese për teatrin, Veliaj: La në fuqi vendimin për prishjen, tani të ecim përpara me ndërtimin e tij

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka reaguar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për teatrin kombëtar. Veliaj tha se Kushtetuese la në fuqi vendimin për prishjen e teatrit, ndërsa shton se tani duhet të vijoj puna për ndërtimin  e teatrit më të madh në Ballkan.

“Tani te ecim përpara e te ndërtojmë shtëpinë me te madhe e moderne te Teatrit ne Ballkan, boll humbëm kohe me histeri, si me çdo projekt te madh! Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Bashkisë së Tiranës, lë në fuqi vendimin për prishjen e Teatrit Kombëtar”, shkruan Veliaj.

Ora 16:13
Kushtetuesja rrëzon qeverinë për teatrin, Basha: Pas vendimit të saj, radhën e ka SPAK

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese ku rrëzoi qeverinë për Teatrit Kombëtar. Basha ka folur shkurt ku tha se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, tashmë e ka radhën SPAK. Basha kërkon që teatrit të ndërtohet aty ku ishte dhe ashtu siç ishte, një nga premtimet që ai u bëri Aleancës për Teatrin pas shembjes së tij.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • karadakliu: 03/07/2021 09:32

    po rrenimi i nje "rrenoje" qe shemtonte pamjen e abientit dhe kundermonete ne vlerate skenike te artit dramatik.Pse atehere qenka antikushtetuese ndertimi i nje objekti skenik ne perputhje me kohen,nivelet dhe ambientin qyteterues?!

    Përgjigju
  • Lela: 03/07/2021 02:44

    Po tani? Nese Kuvendi paska miratuar nje ligj ne kundershtim me kushtetuten dhe Qeveria nje Vendim po ashtu, si i behet??? Psh Edi Rama ka dy cilesi, deputet dhe Kryeminister, pra me dy shkelje. A do ngreje komision hetimor Kuvendi.... Lal Eri eshte qershia mbi torte e tragji-komedise shqiptare te shkeljes se ligjit dhe pandershkueshmerise. Por kemi besim tek znj. Kim qe sot na tha se kjo do marre fund. Po se kur nuk tha gje.

    Përgjigju
  • Iris: 03/07/2021 02:09

    Per te gjithe ata qe kujtojne se fituan me kete vendim,duhet thene qe //bene nje vrime ne uje//.Ndertimi i teatrit u pezullua per teknikalitete ,e shprehur ne gjuhen ligjore.Teatri i kaloi min.te kulture qe ne fund do beje si thote qeveria,pra Rama.Si ministria,si bashkia,si qeveria kane te njejtin mendim dhe te njejtat ide si ka per t'u ndertuar.Sa per Bashen,i duhet kujtuar qe aty ku ishte do te jete dhe i riu,por te lutem,pse kerkon te ndertohet njelloj ?!Tani nuk them se projekti i ri me pelqen,por ne krahasim me te vjetrin,eshte me mire;nuk e ka ate fasaden ballore qe te kujtonte kishat katolike.

    Përgjigju
  • Nevruz: 02/07/2021 19:59

    Prishja e godines nuk eshte cilesuar si antikushtetuese pasi vendimi i Keshillit Bashkiak eshte nul per shkak te shfuqizimit te VKM- se qe ia njihte Bashkise pronesine mbi truallin e Teatrit. Pra Bashkia ka prishur nje prone jo te saj! Per te tjerat duhet te hetoje SPAK. Te gjitha palet duhet ta respektojne vendimin e GJK.

    Përgjigju
    • Bajram: 02/07/2021 22:21

      Nuk ka fuqi prapavepruese vendimi i Kushtetueses pra, Rama Veliaj e Fusha fituan betejen

  • Endri: 02/07/2021 17:09

    Edhe ca kohe sa te emerohen anetaret e tjere do vazhdoje keshtu. Qokat e fundit katunarit nga cepani. Lulezimja te rrije urte se sa zullumet i ka gati SPAK-u duhet te merret vetem me te per nje kohe te gjate

    Përgjigju
  • Dada: 02/07/2021 16:50

    Sipas vendimit te GjK ti Basha do ishe ne burg. Me shitjen e detit. Asgje e re nga vendimi i GjK ato qe ka rrezuar jane rrezuar me pare nga qeveria. Trualli do kaloj tek ministria e kultures me prishjen eshte ok. Teatri i ri do behet.

    Përgjigju
  • F-35: 02/07/2021 16:01

    Vendim i pritshem, si dhe te tjeret ne vijim. GJK=Presidence=Turp! GJK edhte produkt i qelbur i reformes ne drejtesi!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Balla takim me punëtorët shqiptarë në Toskana: Deri në Pashkë shpresojmë të arrijmë marrëveshjen për njohjen e pensioneve! Merrni pjesë në votime

Balla takim me punëtorët shqiptarë në Toskana: Deri në Pashkë shpresojmë të arrijmë marrëveshjen për njohjen e pensioneve! Merrni pjesë në votime