Qose përmbys ndeshjen, AF Elbasani 'zhyt' Tiranën! Përplasje mes tifozëve

1 Prill, 12:16

Superliga shqiptare e futbollit mbylli raundin e 32-të. Të hënën e 31 marsit u zhvilluan dy sfidat e mbetura, ku te tri pikët dolën Egnatia dhe AF Elbasani. Tension mes tifozëve në sfidën e "Elbasan Arenës", teksa Tirana sheh fundin. Në krye qëndron Egnatia.

Në "Adush Muça" të Ballshit, vendasit e Bylisit u mposhtën 0-2 nga Egnatia. Në krye të renditjes, kampionët në fuqi me këto tri pikë e kanë 'blinduar' një vend në "Final 4". Pjesa e parë nuk dhuroi gola, ndërsa për të zhbllokuar rezultatin u kujdes Regi Lushkja që në minutën e 48-të shënoi një gol shumë të bukur. Më pas ishte Guindo që gjeti rrjetën, duke ndëshkuar ish ekipin e tij.

Dramë për Tiranën në "Elbasan Arena". Klubi më i titulluar në Shqipëri u përmbys 2-1 nga vendasit e AF Elbasanit dhe e sheh veten në fundin e renditjes, një hap larg rrëzimit në Kategorinë e Parë si tetë vite më parë. Përgjoni kaloi Tiranën në epërsi pas 11 minutave lojë, por Kristi Qose me dopietën në minutat 72 dhe 90+3 përmbysi gjithçka. Tanimë AF Elbasani shikon nga zona "Final 4". Pas ndeshjes pati tension dhe të shara në distancë mes tifozëve, me policinë që u kujdes për të mbajtur në kontroll situatën, duke shmangur përleshjen fizike.