VELIPOJË- 80% e drejtorëve të Bashkive në qarkun e Shkodrës do të largohen nga puna. Ka qenë ky urdhri i kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes që kreu i qeverisë ka zhvilluar me drejtues të rajonit të Veriut në Velipojë. Report Tv mëson se Rama ka kërkuar largimin e tyre në varësi të vlerësimit të performancës dhe institucioneve me varësi nga qendra.
"80% e drejtorëve do ikin. Për të gjitha bashkite e Qarkut Shkodër do të bëhet vlerësim performance i institucioneve me varësi nga qendra. Njëkohësisht do të bëhet analizë e buxhetit të bashkive, borxhet dhe projektet aktuale që të evidentohet se ku jemi aktualisht”- mësohet të ketë thënë Rama gjatë mbledhjes.
Rama ka pranuar dorëheqjen e katër drejtorëve, Myzafer Bushit, drejtor i Drejtërisë së Thesarit, drejtor i Hetimit Tatimor Agim Shima, drejtori i ARRSH Shkëlqim Sterkaj dhe drejtrorit të ENT-it të banesave Brian Murriqi. Ai është shprehur se të gjithë drejtorët kanë dhënë dorëheqjen, por do bëhet vlerësimi i performancës, për të bërë seleksionim pasi e rëndësishme është që bashkia të përfaqësohet me profesionalizëm. Gjatë mbledhjes theksi për këtë reformë është vënë te qarku i Shkodrës, por nuk janë përjashtuar bashkitë e tjera si ajo e Kukësit.
Pjesë e mbledhjes ishin ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i cili është njëhkohësisht edhe koordinator politik i PS për qarkun Lezhës, kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu dhe deputetët Paulin Sterkaj, Luan Harusha dhe Tom Doshi. Në mbledhje mori pjesë edhe kryebashiaku i Vaut të Dejës Mark Babani, i akuzuar nga PD se është arrestuar në Itali për vjedhje të makinave, por mësohet se kjo çështje nuk ka qenë në fokus të diskutimeve.
Partia Socialiste ka ngritur dy komisione (një prej të cilëve qytetar) për zgjedhjen e drejtorëve të rinj në qarkun e Shkodrës. Ngritja e komisioneve erdhi pas largimit të Valdrin Pjetrit nga posti i koordinatorit politik të Shkodrës pas akuzave që PD ngriti ndaj tij për fshehje të dënimit në Itali në formularin e dekriminalizimit. Komisionet kanë përpiluar një listë kandidatësh për të zëvendësuar drejtorët e dorëhequr, që do t'i paraqitet kryeministrit Edi Rama.
Rama udhëroi dorëheqjen e të gjithë drejtorëve burra ndërsa deklaroi se për disa nga gratë do të rishikohet pozicioni. Kreu i qeverisë u shpreh se këto ndryshime nuk bëhen për shkaqe personale por bëhen për të krijuar një imazh të ri të PS në Shkodër.