Rama me Orban: Investimet hungareze mbresëlënse, 350 mln euro! Duam më shumë në turizëm

11 Tetor, 14:49

Kryeministri Edi Rama nga konferenca me kryeministrin Viktor Orban ditën e sotme, u shpreh se investimet hungareze në Shqipëri janë mbreslënëse, të cilat sipas tij kapin shifrën e 350 milionë eurove.

Rama tha se duhet që të ketë një rritje të investimeve në fushën e turizmit.

 “Ne gjithashtu folëm për investimet dhe i thashë kryeministrit që ne ndihemi të inkurajuar nga fakti që kompanitë hungareze, pra shoqëritë tregtare hungareze po investojnë, por gjithashtu edhe numri i investimeve të drejtpërdrejta të huaja në shifra me euro që vijnë nga Hungaria është i pazakontë duke u krahasuar gjithnjë me vende që janë si Shqipëria në madhësi, pra bëhet fjalë për rreth 350 milionë euro, që është një shifër vërtetë domethënëse për ekonominë tonë dhe është vërtetë mbresëlënës sa i përket performancës së një shteti si Hungaria, gjë që nuk e pret që ta kesh në vendin tënd, pra investime të huaja. Kështu që diskutuam se si mund të arrijmë edhe më shumë në këtë fushë. 

Turizmi është një objektiv për shembull dhe ne po shikojmë gjithnjë e më shumë qytetarë hungarezë që vijnë në Shqipëri për pushime. Në bregdetin tonë ky numër është rritur sërish në krahasim me vitin e shkuar dhe për momentin ne po shikojmë një rritje të madhe të turizmit në Shqipëri. 10 milionë turistë kishim vjet dhe sivjet shifra do të arrijë 12 milionë ose më shumë, me aeroportin që ka patur rritjen më të madhe në Europë dhe ne dëshirojmë që të kemi jo vetëm turistë hungarezë të cilët sigurisht i mirëpresim dhe meqë ra fjala, Hungaria është vendi nga i cili ne patëm një mbretëreshë, por ne gjithashtu duam që edhe investimet në turizëm të pasojnë dhe që të kemi flamurin hungarez në Shqipëri dhe na pëlqen shumë flamuri hungarez”, tha ai.

    No videos found.