Raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, PD e lexon ndryshe: Evidentohen elementët e masakrës elektorale të 25 prillit nga regjimi Rama-Dosh

22 Qershor 2021, 11:32

TIRANË- Për Partinë Demokratike, raporti i Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Europës, ka konfirmuar akuzat e tyre, se në zgjedhjet parlamentare ka pasur zyrtarë që kanë abuzuar me pushtetin dhe se është ushtruar presion ndaj vëzhguesve. Në reagimin e tyre, PD-ja thotë se në këtë raport evidentohen qartë 'elementët e masakrës elektorale të 25 Prillit nga regjimi Rama-Doshi'.Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës evidenton elementët e masakrës elektorale të 25 Prillit nga regjimi Rama-Doshi. Në raportin e vëzhgimit të zgjedhjeve, Asambleja Parlamentare konfirmon se: Zyrtarët publikë abuzuan pushtetin e funksioneve publike. Gjatë misionit kishte shumë raportime për ushtrim presioni ndaj votuesve, sidomos ndaj punonjësve të administratës publike për të votuar për partinë në pushtet. Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës është informuar nga qytetarë të ndryshëm, përfshirë edhe partitë politike, për një problem që është parë gjatë fushatës elektorale, në veçanti për blerjen e votave, presionet mbi votuesit, veçanërisht mbi nëpunësit civilë dhe keqpërdorimin e burimeve të administratës. Delegacioni i Asamblesë i dënon fuqimisht këto praktika dhe i bën thirrje autoriteteve kompetente në Shqipëri që të bëjnë çfarë është e mundur që të t’i japin fund këtyre parregullsive dhe të rrisin besimin e zgjedhësve në proceset zgjedhore. Gjatë fushatës elektorale media publikoi databazën me të dhënat personale e cila përdorej nga PS për të ushtruar presion. Rrjedhja e të dhënave sensitive personale, përfshirë preferencat politike të qytetarëve, janë shqetësim serioz dhe i bëjnë votuesit vulnerabël. Misioni vëzhgoi momente presioni mbi votuesit. Një person u pa teksa tërhiqte një tjetër drejt Qendrës së Votimit, pasi votuesi kaloi procedurën e verifikimit ai u mor me një anë dhe u instruktua si të votonte. Në të njëjtin Rajon u dëshmua një rast i shpërndarjes së parave pranë qendrave të votimit. Një tjetër ekip i Asamblesë Parlamentare vërejti propagandë elektorale për një parti gjatë votimit brenda një qendre votimi. Shkelja e marrëveshjes së 5 Qershorit krijoi paqartësi dhe pasiguri, si dhe vështirësi për zbatimin e ndryshimeve të njënashme. Procedura për ndryshimet e njënanshme, që dhunuan marrëveshjen e 5 Qershorit, ishte e përshpejtuar, u bë me nxitim, dhe pa konsultime. Ndryshimet e njënashme u bënë 9 muaj para zgjedhjeve në kundërshtim me Kodin e Praktikave të Mira të Komisionit të Venecias, ku sugjerohet një periudhë 12 mujore për ndryshimet, sidmos për ndryshimet në sistem", thuhet në reagim. Raporti i publikua ditën e djeshme ku thuhej se zgjedhjet parlamentare ishin përgjithësisht të organizuara mirë nga administrata zgjedhore dhe se kjo administratë në të gjitha nivelet në përgjithësi gëzonte besimin e palëve të interesuara. Në raportin e tyre, kanë vlerësuar se zgjedhjet e 25 prillit janë karakterizuar nga një votim i qetë dhe nga një fushatë e gjallë dhe gjithëpërfshirëse, falë një kornize ligjore që ndihmoi në sigurimin e respektimit të lirive themelore.