Regjistrimi në zgjedhjet e 14 majit, PD e Enkelejd Alibeajt e çon kërkesën në KAS

11 Mars 2023, 17:23

Partia Demokratike e Enkelejd Alibeajt ka depozituar në ankesë në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve sa i takon rrëzimit të kërkesës së tyre për regjistrimin si subjekt politike garues në zgjedhjet lokale të 14 majit. 

Sipas tyre, shkresa për angazhimin solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, nuk është përgjegjësi personale, por që merret në cilësinë e kryetarit të partisë që në rastin konkret Lulzim Basha ia ka kaluar kompetencat përfaqësuesit ligjor.

“Ndryshe nga sa shprehet Komisioneri, nga përmbajtja e nenit 64, pika 2, shkronja "e" të Kodit Zgjedhor, nuk është shprehur asnjë ndalim mbi delegimin e këtij akti, dhe se nuk rezulton që akti të jetë një akt individual i personit dhe akt ekskluziv, për shkak të përgjegjësisë ligjore në rast mospërmbushje. Si për çdo të drejtë apo detyrimi tjetër (për ilustrim, regjistrimi i kandidatëve), dispozitat ligjore i referohen përmbushjes së tyre nga Kryetari i Partisë, duke qenë se ai është përfaqësuesi i partisë politike në raport me të tretët. Ky pretendim i Komisionerit është i pambështetur në ligj dhe rrëzohet edhe nga përmbajtja e vetë deklaratës, sipas përmbajtjes së miratuar nga vetë KQZ-ja. Deklarata fillon me fjalët: "Deklaroj në cilësinë e Kryetarit të Partisë", cka provon se ajo nuk është një akt individual i personit, por një anagzhim që merret në cilësinë e kryetarit të partisë, cilësi e cila është ajo e organit drejtues/përfaqësues me të tretët dhe jo në cilësinë personale si person fizik/natyror. Vetë Komisioneri në vendimin e tij arsyeton se: "në përputhje edhe me parashikimet e nenit 9 të ligjit 8580, datë 17.2.2000 "Për partitë politike", i ndryshuar, kryetari i partisë, në kuptim të ligjit është një organ dhe jo thjesht individi person fizik që ushtron funksionet e organit. Ne këtë kontekst, deklarata e bërë në emër të organit që përfaqëson partinë ndaj të tretëve, rast në të cilin përfshihet edhe KQZ, është një akt i delegueshëm, pasi nuk lidhet me cilësi apo përgjegjësi personale të individit, personit fizik që ushtron detyrën e organit të Krytarit të Partisë”, thuhet në deklaratë.