Reportazh/ Në gjurmët e Ndre Mjedës! Dom Nik Ukgjini na rrëfen Kuklin, vendin ku shkroi veprat poeti i madh

19 Gusht 2021, 10:26

Rreth 20 minuta nga Shkodra, Qendra muzeore Ndre Mjeda, është takimi me një kompleks sa arkitekturor, historik por edhe me një poet që ofron gjithçka. Aty takojmë Mjedën, poetin e madh të letrave shqipe, që më Kuklin e lidh shumëçka.

Kukli i njohur si "Cucculi" qysh në Mesjetë, është një fshat i vogël diku ndërmjet Lezhës e Shkodrës, i cili shtrihet në fushën e Zadrimës deri në shpatin e këndejmë të malit të Kakarriqit. Kísha e ngjitur pak në shpat, prej ku “lahet” me shikim krejt fusha, është ndërtuar para 100 e ca vjetësh; në vitin 1906 është projektuar dhe ka nisur ndërtimi i saj dhe ka përfunduar në vitin 1913 prej famullitarit të atëhershëm Dom Ndre Mjeda. Po në këtë kohë është ndërtuar dhe shtëpia e banimit (qela) sot shtëpi muze. Aty në Kukël ai shkroi e lëmoi lirikat dhe tingëllimat e tij-perla të letërsisë shqipe, aty shkroi poemat “Andrra e Jetës”, “Lissus”, “Shkodra”. Banonte dhe shërbente aty me petkun e meshtarit edhe përgjatë viteve1921-1924 kur qe deputet i parlamentit të parë shqiptar.