Reshjet e shiut në Lezhë, 230 hektarë tokë nën ujë, përmirësohet situata gjatë orëve të fundit

24 Janar 2023, 09:41

Situata e krijuar nga përmbytjet në Lezhë ka njohur sërish përmirësim gjatë 24 orëve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare të Emergjencave Civile, sipërfaqja e përmbytur është zvogëluar në 230 hektarë, nga 350 që ishte një ditë më parë.

Konkretisht ndodhen nën ujë 100 hektarë në Fushën e Torovicës të Njësisë Administrative Balldre, 100 hektarë në kënetën Spiten-Tresh të Njësisë Administrative Zejmen dhe 30 hektarë në Fushë-Gjorm të Bashkisë Kurbin.

Gjatë 24 orëve të fundit kanë rënë rreth 11 mm shi në territorin e Qarkut të Lezhës dhe Lumi Drin  është në nivelin +0.6 m, nga +2.0 m që është kuota kritike,  kurse kuota e lumit Mat vazhdon të ketë gjendje të ngritur duke shkuar tek normalja, për shkak të shkarkimeve të hidrocentraleve Ulëz e Shkopet në masën 220 m³/s, kurse nga Diga Qafë Mollë e hecit mbi lumin Fan shkarkimet janë rreth 39 m³/s, por pa krijuar probleme.

Hidrovoret janë gadishmëri dhe po punojnë me kapacitet të plotë, ndërsa të gjitha akset rrugore janë të kalueshme pa probleme. Edhe gjatë ditës së martë, strukturat e emergjencave civile të bashkive të qarkut Lezhë, do të jenë në terren për të  ndjekur situatën dhe problematikat, në zbatim të detyrave të deleguara nga Prefekti i Qarkut Lezhë Gjergj Prendi.