Rimëkëmbja ekonomike, Guvernatori: E varur nga përfundimi i pandemisë, pritshmëritë për rritje 5.3% këtë vit

17 Qershor 2021, 13:58

Sa i takon situatës ekonomike guvernatori Sejko thotë se masat e ndërmarra nga institucionet shtetërore ndikuan në mbajtjen nën kontroll të ekonomisë dhe nuk lejuan që rënia të ishte e lartë. Sipas tij turizmi ishte një faktor kyç që Shqipëria e mbylli vitin me 3.3%.

“U ndërmorën disa masa në reagim të krizës, siç ishin paketat e garancisë sovrane, ndihmëse, të lëshuara nga qeveria e Shqipërisë dhe të lëvruara nëpërmjet sistemit bankar; masa të marra nga ne në raport me individët, me bizneset dhe me bankat e nivelit të dytë, siç ishte moratoriumi dy herë nga 3 muaj apo 6 muaj për shtyrjen e kredive; ulja e normës bazë të interesit për të stimuluar kreditimin, investimet dhe konsumin; ndalimi i shpërndarjes së dividentit për bankat e nivelit të dytë, në mënyrë që bankat të ishin më të shëndetshme, të cilat ndikuan pozitivisht në menaxhimin e situatës së krizës nga pandemia. Një efekt pozitiv pati edhe turizmi gjatë vitit të kaluar. Parashikimi ishte që të kishte një rënie në sektorin e turizmit, edhe më të thellë, por fatmirësisht duke qenë që ne pritëm turistë nga vendet e rajonit, nga vendet afër nesh, dhe gjithashtu turizmi i brendshëm”, u shpreh ai

Ndërsa për këtë vit Sejko thotë se përpos pritshmërive që janë pozitive, ekonomia vijon të jetë nën presionin e pandemisë. Sipas tij rritja këtë vit do të jetë 5.3%, dhe do të ndihmohet më shumë nga suksesi i sezonit turistik.

“Ka një parashikim aktualisht një rritje nga Banka e Shqipërisë dhe nga FMN-ja, jemi në të njëjtët parametra për rritje ekonomike në nivelin 5,3%. Sigurisht që rritja varet nga pandemia sepse gjithçka varet nga pandemia. Sigurisht, nëse do të vazhdojë kjo ecuri, pra ka një situatë optimiste, numrat e të infektuarve janë të ulët, fatmirësisht edhe numri i vdekjeve është i ulët këto ditë. Nëse do të vazhdojë kjo situatë, por edhe sezoni favorizon, periudha e verës e ul virulencën, sigurisht që ekonomia do të ketë rritje. Turizmi që është prapë një nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë, përfaqëson mbi 20% të GDP-së së vendit, pritet të jetë me sukses”, pohon guvernatori.

Masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë sipas Guvernatorit kanë ndikuar edhe tek mbajtja e kredive me probleme në nivel të ulët edhe pse rreziku për rritjen e tyre është prezent edhe këtë vit.