Kryeministri Edi Rama ka inspektuar ditën e sotme rrugën Ndroq-Plepa e cila prej disa kohësh ka nisur të rikostruktohet. Aksi njihet që prej më shumë se 20 vitesh nuk ka marrë asnjë investim, duke u parë si një aks dytësor në raport me hyrjen në kryeqytet.
Rama theksoi se aksi do të ketë një profil turistik nga projekti i ri i investimit, duke theksuar se do t’i shërbejë edhe më shumë agroturizmit në zonë, që sipas Ramës po shtohet çdo ditë.
Rama: Është një nga akset e shumkërkura të cilit i erdhi radha dhe i cili do jetë një aks me profil turisti edhe për shkak të këtij territori ku kanë filluar të lindin agroturizmat dhe ku ne besojmë shumë se zhvillimi i agroturizmit do jetë shumë pozitiv dhe për ekonominë e kryeqytetit dhe për ekonominë familjare këtu. Në kantierin për rehabilitimin e aksit rrugor Kombinat-Ndroq-Plepa, loti 1, janë realizuar afro 30 % e punimeve fizike. Ky lot ka një gjatësi prej 4,8 kilometrash, ndërsa projekti parashikon kthimin e këtij aksi në parametrat e kategorisë C.















