TIRANË-Holanda, një nga vendet më skeptike për integrimin e Shqipërisë deri pak kohë më parë, sot nga Tirana ka bërë të qartë se vendi ka bërë progresin e duhur për të hapur negociatat dhe mbajtur Konferencën e Parë Ndërqeveritare para dhjetorit.
Në vizitën e parë të tij në Shqipëri, pas 12 vitesh si kryeministër i Holandës, Mark Rutte tha se ka ardhur koha që BE të tregohet e drejtë me Shqipërinë dhe se Bullgaria nuk mund të mbajë më peng këtë proces për shkak të vetos që i ka vendosur Maqedonisë së Veriut. Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama, ndonëse këtë herë nuk shfaqi kritike për BE, tha se përtej PO-së dhe JO-së për hapjen formale të negociatave, duhet të përfshihen në rajon me ndihma konkrete.


















