122 deputetë ka në Kuvendin e Shqipërisë. Këtë përgjigje i ka kthyer zyrtarisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve Presidentit Ilir Meta, i cili në deklaratat e tij pas anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit e ka quajtur ilegjitim Kuvendin.
Ai çoi kërkesë KQZ-së për të ditur sa deputetë ka aktualisht Kuvendi, duke ditur shumë mirë se numri 140 nuk është plotësuar për shkak të shterimit të listave të kandidatëve pas djegies në bllok të mandateve nga deputetët e PD-së dhe LSI-së. Kjo kërkesë tij u pa si nëj hap i parë drejt një veprimi tjetër të mundshëm, atij të shpërndarjes së parlamentit. Megjithatë pritet të shihet se çdo të ndodhë më tej, pas përgjigjes zyrtare që Presidenti mori sot nga KQZ.
Të enjten më 13 qershor, mazhoranca kaloi testin politik duke tejkaluar në 100, 94 votat që nevojiten për të shkarkuar presidentin Ilir Meta. Pas 5 orëve debati në Kuvendin e Shqipërisë, 100 deputetë votuan pro rezolutës së Partisë Socialiste ku radhiteshin argumentet pse dekreti i kreut të shtetit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit ishte antikushtetues, dhe ku shprehej bindja se zgjedhjet do të mbahen në këtë datë.
Më 14 qershor, pas deklaratës se parlamenti aktual është ilegjitim, Meta i dërgoi një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku i kërkoi informacion mbi numrin aktual të deputetëve.
Parlamentit aktualisht i mungojnë 18 deputetë.
Ilir Meta është zgjedhur President legjislaturën e shkuar të Parlamentit, para dy viteve, ndërsa u shpreh se Kuvendi aktual nuk është legjitim. Por a është kjo një shenjë se kreu i shtetit do të shpërndajë parlamentin?