Sarandë, shfrytëzonin një 16-vjeçare për prostitucion, në pranga 2 gra, 42 dhe 39 vjeçe

24 Shkurt 2025, 11:34 | Përditesimi: 24 Shkurt 2025, 11:34

DVP Vlorë/Finalizohet pas 2 muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni i koduar “Silent Watch”.  

Vihen në pranga 2 shtetase që shfrytëzonin një shtetase të mitur, për prostitucion.  

Sekuestrohet një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme. 

Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, gjatë 2 muajve, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, u finalizua operacioni policor i koduar “Silent Watch”.        

Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetaset:  

S. O., 42 vjeçe dhe L. D., 39 vjeçe, të dyja banuese në Sarandë.    

Nga veprimet hetimore dyshohet se këto shtetase kanë shfrytëzuar për prostitucion, një 16-vjeçare. Gjatë kontrolleve në dy lokale të marra me qira prej tyre, në lagjet nr. 3 dhe nr. 4, në Sarandë, në të cilat ushtrohej prostitucioni, u gjet një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.     

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

I.M/Shqiptarja.com