Serbia mban në fuqi gatishmërinë luftarake, Vuçiç: Të vendosur të mbrojmë popullin! Reagon Moska

27 Maj 2023, 14:08

Forcat e armatosura të Serbisë mbeten në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake për momentin për shkak të "përdorimit brutal të forcës nga Albin Kurti dhe forcat e tij kundër popullit serb në Kosovë "

Ky është vendimi i marrë në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare mbledhur paraditen e sotme në Beograd.

Në njoftimin  për shtyp të shpërndarë nga presidenca serbe thuhet gjithashtu se gjatë takimit u ranë dakord për të gjitha aktivitetet e nevojshme të sigurisë me qëllim të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Serbisë.

Gjithashtu është theksuar se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, nuk e ka kryer punën e tij në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë në një postim në instagram Vuçiç shkruan se Serbia do të jetë e vendosur dhe e palëkundur në mbrojtjen e popullit të saj në Kosvoë”.

Ndërkohë Rusia do të vazhdojë të mbështesë Serbinë në mbrojtjen e të drejtave legjitime, sovranitetit dhe integritetit territorial, tha drejtori i departamentit të katërt evropian të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Yuriy Philipson.

Ai tha për RIA Novosti se çdo vendim për Kosovën duhet të jetë i pranueshëm për serbët dhe i miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

“Perëndimi, në stilin e tij të preferuar cinik, po e trajton në mënyrë selektive të drejtën ndërkombëtare, duke u përpjekur me të gjitha forcat ta zëvendësojë atë dokument bazë me skema të njëanshme që nuk marrin parasysh interesat themelore të popullit serb dhe e detyrojnë atë të pranojë "shtetësinë e provincës”, tha Phillipson.