Shengeni Ballkanik/ Kurti: Rruga nga Beogradi për në Tiranë kalon nga Prishtina! Bashkëpunim jo konfrontim

23 Dhjetor 2019, 15:55

Kosova nuk mundi t'i bashkohej takimit të tretë të Samitit të Shengenit Ballkanik, që të shtunën në Tiranë iu bashkua edhe Mali i Zi, duke iu bashkuar Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, që ende nuk e ka gjetur gjuhën e marrëveshjes politike për t'u bërë kryeministri i ri i Kosovës pas zgjedhjeve të parakohshme me dorëheqjen e Haradinajt, në një reagim të parë për këtë samit, thotë se "rruga nga Beogradi për në Tiranë, kalon përmes Prishtinës". Kështu, Kurti lë të kuptohet se nuk ka nevojë për ndërmjetës për çështjet tashmë të njohura që ndajnë Serbinë me Prishtinën zyrtare, e më kryesorja: Mos njohja e Kosovës shtet i pavarur.

 Në një status në rrjetet sociale, Kurti shprehet se Kosova ka nevojë për më shumë bashkëpunim jo konfrontim.

"Parimet e gjithëpërfshirës dhe reciprocitetit duhet të udhëheqin iniciativat rajonale. Rruga nga Beogradi për në Tiranë kalon nëpër Prishtinë. Ne jemi dhe gjithmonë do të jemi një popull dhe askush nuk mund të qëndrojë mes nesh. Ne kemi nevojë për më shumë bashkëpunim jo konfrontim!" shkruan Albin Kurti.

Ndërkohë ditën e djeshme kryeministri Edi Rama deklaroi se do të bisedonte sërish me Kurtin për Shengenin Ballkanik sapo të krijohet qeveria e re. Edhe gjatë samitit Rama e quajti të pakuptimtë vetëizolimin e Kosovës dhe refuzimin për të përfituar nga marrëveshjet ekonomike që nxorri ky samit. Por pavarësisht situatës së krijuar, ky samit nuk e pengon vijimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë.

E ftuar sot në Report Tv, ish-zv.kryeministrja Senida Mesi, tha se me krijimin e qeverisë në Kosovë, kryeministri Edi Rama do të nisë takimet për të implementuar marrëveshjet e arritura nga mbledhjet e shkuara të qeverisë, por edhe dakordësimet për marrëveshje të reja.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç nga Samiti në Tiranë, tha se vendet nuk duhet të mbeten peng i së shkuarës e konflikteve dhe se është koha për paqe e për zhvillim ekonomik. Ai tha se të gjithë janë të mirëpritur të marrin pjesë. Jashtë Samitit, nga 6 vende të Ballkanit të Perëndimor, nuk kanë pranuar të marrin pjesë vetëm Kosova dhe Bosnje-Hercegovina.

    No videos found.