Shpëtoi mbi 20 kolegë mes flakëve të zjarrit, Arjan Sala shpallet 'Dëshmor i Atdheut'!

29 Mars 2021, 12:20 | Përditesimi i fundit: 2021-03-29 16:18:20

Arjan Sala tashmë është edhe zyrtarisht 'Dëshmor i Atdheut'.  32-vjeçari, heroi që shpëtoi 20 punonjës në zjarrin që ra para disa ditësh në një magazinë në Tiranë tashmë është pjesë e odeonit të më të ndriturve të kombit. Vendimi është firmosur nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se titulli pritet t'i dorëzohet familjes nga Kryeministri Rama i cili do të shkojë për vizitë ngushëllimi. Arjan Sala ishte i martuar dhe kishte një fëmijë 2 vjeç.

Kujtojmë se trupi i pajetë i 33-vjeçarit Arjan Sala, u nxor pas 3 ditësh pas zjarrit në magazinën në qendrën tregtare "Casa Italia". Zjarri ra pasditen e së mërkurës

Trupi u  identifikua nga xhaxhai i 33-vjeçarit, dhe më pas është dërguar në morg. Ai u përcoll dje nga familjarët në banesën e fundit, ndërsa qeveria pritet ta shpallë Dëshmor të Atdheut. Referuar dëshmisë së familjarëve, Sala ka shpëtuar rreth 20 punonjës të tjerë në magazinë, e vetë është futur për të shuar zjarrin, por fatkeqësisht nga aty nuk ka mundur që të dalë. 

Report Tv zbardhi dje ekspertizën paraprake për zjarrin e rënë në magazinën e nëndheshme disa ditë më parë në një qendër tregtare në Tiranë.  Zjarri në magazine me mallra plastike e veshje, dyshohet se nisi pas një shkëndije elektrike në kabullin e neonit.  Shkëndijat elektrike ranë mbi rroba sintetike duke krijuar flakë të shumta që forcave zjarrfikëse ju deshën mbi 2 ditë për t’i shuar zjarrin, pasi temperatura në magazinë arriti mbi 900 gradë.