Si zgjidhet kriza? I ftuar Taulant Balla

19 Mars 2019, 09:58

Vendi po hyn në krizën më të thellë që prej më shumë se 20 vjetësh. Por si dilet prej saj? Për të komentuar aktualitetin politik, të ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” ishin në pjesën e parë Taulant Balla, që është numri dy i Partisë Socialiste dhe në të dytën Klajda Gjosha, ish-ministre e Integrimit. Balla u shpreh se shumica shkon e qetë drejt zgjedhjeve lokale, ndërsa theksoi se në qershor do të hapen edhe negociatat. Kreu i grupit të PS-së akuzoi Bashën se komandoi dhunën në 16 mars ndaj policisë dhe institucioneve.

Por pas protestave të opozitës a ka tendenca të Kremlinit? Balla deklaron "Unë kam akuzuar Bashën dhe kam rikonfirmuar që Basha është një person i dyshuar si i sponsorizuar me dokumente kjo, në një transfertë bankare nga një kompani guackë me seli në Edingburg me pronësi nga një kompani off shore në Belize dhe financime deri në 650 mijë dollarë me burime të dyshimta ruse. Të gjitha mediat amerikane kanë ribotuar një hetim, që Basha është financuar 650 mijë dollarë nga burime të padeklaruara, ka një hetim në Shqipëri, një në SHBA dhe një në Skoci".  
Pavarësisht kërkesave të opozitës për zgjedhje të parakohshme politike përmes një qeverie teknike, Taulant Balla shprehet i vendosur se shumica do të përfundojë mandatin sikur e parashikon Kushtetuta deri në qershorin e 2021. "E diela e katërt e qershorit të 2021 i bie që të jenë zgjedhjet. Mund të rritet numri i deputetëve opozitarë? Numri i atyre që ende nuk u ka ardhur radha për vakancat është i madh, por e rëndësishme është që të kuptojmë që kuvendi është funksional dhe legjitim. Jemi të hapur me dialog me partitë e opozitës, PD dhe LSI-së" tha ai.