Sondazhi i parë për zgjedhjet lokale të 2019 nga 'GPF'/ Pjesa e dytë

14 Mars 2019, 07:38

Report Tv në bashkëpunim me institutin Italian "GPF Inspiring Research" sollën sondazhin  e parë për situatën politike në vend dhe pritshmëritë për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019. I ftuari special i mbrëmjes së sotme në emisionin "Repolitix" ishte Roberto Baldassari, i cili rikthehet për publikun shqiptar pas parashikimeve të sakta që bëri për zgjedhjet e vitit 2015 dhe 2017 me institutin "Piepoli", aktualisht president i "GPF Inspiring Research". Në këtë sondazh të parë qytetarët i janë përgjigjur pyetjes se cilat janë arsyet e klimës së tensionuar politike që ka përfshirë vendin. Sondazhi jep përgjigje edhe për votën e shqiptarëve nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot. Bashkëpunimi i tretë i Report Tv me Roberto Baldassarin jep një panoramë edhe për votën në 12 qarqet e vendit dhe projeksionin ne shkallë kombëtare. Një pjesë e rëndësishme e sondazhit është pëlqyeshmëria që kanë shqiptarët në raport me figurat kryesore të politikës, punën e qeverisë dhe punën e liderit të opozitës.

Nëse zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme do të zhvilloheshin sot, 49% deri në 53% e të anketuarve kanë votuar Partinë socialiste, e cila në zgjedhjet e 2017 mori 48.3% të votave. Pra kemi një rritje të PS. Në rang kombëtar PD nuk lëviz shumë në krahasim me rezultatet e zgjedhjeve 2017, ndërkohë që LSI shënon një rënie të dukshme. 29% deri në 33% e të anketuarve kanë votuar për Partinë Demokratike, kjo forcë politike mori 28.9 % të votave në 2017. LSI mori 9% deri në 11% të votave, nga 14.3% që mori në zgjedhjet e 2017. PDIU merr 3% deri në 5 % të votave po aq sa mori në 2017, partitë e tjera marrin 2% deri në 4% të votave, teksa në 2017 morën  3% të votave. Referuar situatës politike, 75% e shqiptarëve janë shprehur kundër vendimit të opozitës për djegien e mandateve.