Sot heshtje zgjedhore! Nesër qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit lokal

16 Tetor 2021, 12:51

Janë 158 kandidatë për postin e kryetarëve të komunave. Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 202, përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve. Numri i qendrave të votimit në të gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ) ka nisur sot të shpërndajë materialin zgjedhor përfshirë fletëvotimet, për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.

Ndërkohë në Maqedoninë e Veriut po të diel qytetarët do të zgjedhin udhëheqësit e 80 komunave dhe anëtarët e këshillave komunal, kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe anëtarët e këshillit të qytetit. 

Të drejtë vote kanë 1.824.864 persona të cilët do të mund të zgjedhin midis 303 listave të kryetarëve të komunave dhe 567 listave të këshilltarëve. Në këto zgjedhje janë paraqitur një numër i madh i kandidatëve të pavarur për kryetar komune apo për anëtarë të këshillave komunal, të përkrahur nga shoqata të qytetarëve dhe organizata të shoqërisë civile.

Këto janë zgjedhjet e shtata lokale në Maqedoninë e Veriut, ku zgjedhjet e para lokale u mbajtën në vitin 1990.