Studentët mbyllin të premten protestën: Rikthehemi në janar nëse nuk plotësohen tetë kërkesat

19 Dhjetor 2018, 18:54

TIRANE- Pas dy javësh protestë në fakultete, rrugë dhe para kryeministrisë, studentët njoftojnë se ditën e premte do t’i japin fund protestave për t'u rikthyer në janar nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen. Në dy ditët e fundit studentët bllokuan rrugët kryesore në Tiranë, më pas protestuan para Kryeministrisë (lexo këtu). Ata vijuan edhe sot bojkotin, ndërsa një pjesë e tyre protestuan sërish përpara Kryeministrisë por ndryshe nga ditët e mëparshme, ata janë paraqitur të pakët në numër. E megjjithatë, studentët janë shprehur përmes njoftimeve nëpër rrjetet sociale se pavarësisht numrit të tyre, e rëndësishme është kauza. Për nesër, studentët kanë hedhur në diskutim edhe zhvendosjen përpara parlamentit, duke qenë se nesër do të mbahet edhe seanca, ku çështja e tyre të jetë tema kryesore. 

Ndërkohë, sot qeveria ka publikuar paktin për plotësimin e 8 pikave (Lexo këtu), ndërsa nga ana tjetër edhe universitetet kanë marrë zotimet për plotësimin e kërkesave. I fundit ishte Fakulteti i Ekonomikut, që pas takimit të Dhori Kules me studentët doli në një deklaratë për plotësimin e kërkesave. Ndër kërkesat kryesore ishte edhe shtyrja e pagesës së tafirave për studentët si dhe sezoni i provimeve. Investimet në infrastrukturë, transparenca me fondet si dhe kontrolli i pedagogëve ishin disa nga premtimet e tjera të këtij dekanati që do të marrin zgjidhje brenda muajit janar. 

Në kuadër të një klime për dialog, Rama zhvilloi të hënën dhe të martën takime me studentë dhe pedagogë, e konkretisht dje nga Universiteti Bujqësor u shpreh se qeveria do të paguajë 50% të tarifës së studimit për studentët e bachelorit në muajin janar të 2019-s. (lexo këtu). Kreu i ekzekutivit ka zhvilluar edhe sot një takim me studentët e Universitetit "Ismail Qemali" në Vlorë, ku sërish është diskutuar për kërkesat e paraqitura të studentëve.