Protesta e studentëve ishte tema diskutimit mbrëmjen e sotme në emisionin Repolitix, ndërsa të ftuar ishin dy studentë të Mjekësisë, analisti Ilir Kalemaj dhe drejtori i Arkivave, Ardit Bido. Studenti Altin Metalla u shpreh se ka ardhur momenti që protesta duhet të ketë një drejtues për të organizuar tubimet, por jo që të negociojë me qeverinë.
“Kemi 7 ditë që po dalim, por nuk ka pasur asnjë incident. Protesta nuk ka përfaqësues, janë të gjithë të barabartë. Studentët kanë frikë. Disa kanë frikë ta quajnë politike. Kauza jonë është politike, jo partiake. Studentët e Elbasanit nuk janë lejuar nga policia për të ardhur në Tiranë. Ky është një vendim politik. Nga universiteti i Durrësit dhe gjimnazistë nga Tirana ishin goxha. Personalisht mendoj që protesta duhet të ketë një drejtues. Jo ti japim përgjegjësi të mëdha, por jo të negociojë. Nesër do të vijojmë sërish me protesta. Do të jemi prezent. Jam shumë i prekur që kryeministri nuk reagon ndaj kauzës sonë. Nuk i themi që që nesër të zbatojë të gjitha pikat”tha Altin Metalla.
Ndërsa Mario Mesturi shpjegoi tre arsyet se përse refuzojnë dialogun me kryeministrin Edi Rama. “Arsyeja e parë është se kushdo që do të lexojë ato pika duket se nuk po kërkojmë luks, por kushte jetese në konvikte, arsim cilësor, kërkime shkencore. Kjo është arsyeja e parë që na duket normale. Sa më shumë qeveria linte pa miratuar kërkesat hapej vizioni. Ne kërkojmë një vizion, një Shqipëri më të mirë. Me pedagogë më të mirë, një treg pune dhe jo që shumica e studentëve që mbarojnë tani të shkojnë në Gjermani.