A do të ndikojë urdhri i presidentit amerikan Donald Trump tek drejtësia e re dhe veçanërisht SPAK? A priten fondet për Prokurorinë e Posaçme apo mbështetja amerikane ndaj drejtësisë shqiptare do të vazhdojë.
Për këto pyetje avokati Idajet Beqiri mendon se SHBA dhe administrata Trump do e fuqizojnë edhe më tej SPAK-un.
“Dorë e fuqishme e SHBA dhe BE që kanë investuar për drejtësinë e re, që me çdo kusht duan një shtet ligjor, të stabilizuar dhe për rrjedhojë do fuqizohet e më tej edhe nga administrata e Trump dhe do mbështetet më tej drejtësia shqiptare, do forcohet edhe më shumë. Në çdo zyrë të SPAK ka anëtarë të FBI-së. SPAK do fuqizohet edhe më shumë me fondet e Trump”, tha ai.
Avokati nxiti drejtësinë e re që të kalojë në nivel tjetër, duke hetuar krimet më të rënda në Shqipëri në më shumë se tre dekada, që nga viti 1997, firmat piramidale, privatizimet e ndërmarrjeve shtetërore, abuzimet me mineralet, naftën, Gërdecin, 21 Janarin dhe të tjera.
“Ka pasur korrupsion e vjedhje të jashtëzakonshme, krime shumë të rënda si 21 Janari, Gërdeci, firmat piramidale me 4 mld euro e të tjera. Uzina dhe fabrika të shkatërruara, që mund të krijonin kushte në rrethana të tjera që shqiptarët të ishin si zengjinët e Europës. Ose ARMO, armët në ushtri, kromin etj. Miliarda e miliarda dollarë që i janë humbur Shqipërisë, SPAK po merret me këto të voglat tani. Ka ardhur koha që SPAK të seleksionojë punët dhe të japi përgjigje konkrete për këto ngjarje të rënda si 21 Janarit, grushtit të shtetit 1998, Gërdeci, 5 mijë vrasje në 1997, piramidat dhe të tjerat”, u shpreh sot avokati në Report TV.
Kurse Fatmir Merkoçi mendon se tashmë SHBA i ka prerë të gjitha fondet për 90 ditë dhe ky është fakt. Ky urdhër i Trump sipas tij përfshin edhe SPAK. Gjithashtu u shpreh se SPAK ka “kapur vetëm cironkat’ dhe nuk ka bërë asgjë në 7 vite.
“SHBA po heq ndihmën dhe fondet, e dha shenjën në Maqedoni. Ai ka ndërprerë fondet për 90 ditë. Tani janë të mbyllur. Nuk mund të flasim se çfarë do bëjë Trump më tej. Ai ka politikë tjetër, kundër Sorosit, se ai është që financon SPAK dhe reformën në drejtësi. Se si do futej Soros në Kushtetutën shqiptare. Soros i futur thellë në drejtësinë shqiptare”, nënvizoi avokati në ‘Studio Live’.