Stuhia Ciaran, dëmtohet rrjeti 5600 abonentë pa drita në Korçë, shembet ura e Panaritit, çahet asfalti në Klos

4 Nëntor 2023, 16:15

Përpos Tiranës stuhia Ciaran ka përfshirë disa rajone të vendit, si Lezha, Elbasani, Korça dhe Dibra duke sjellë dëme në rrugë dhe rrjetin elektrik. Mijëra banorë janë pa drita në Elbasan dhe Korçë. Ka rrështje dherash në disa segmente, por rrugët janë të kalueshme me vështirësi. 
Lezha është përfshirë nga moti i keq, ku ka rënë 50 mm shi, shoqëruar me erë.  Krahas detit të trazuar me dallgëzim të lartë, reshjet e dendura të shiut përmbyten rrugët dhe shëtitoren në Shëngjin dhe Kune.
Kanalizimet nuk e përballuan nivelin e prurjeve, duke bërë që uji të dalë në siperfaqe. 
Shumë fshatra në qarkun e Lezhës janë pa energji elektrike. 
Nga bllokimi i kanalizimeve disa rrugë të qytetit të Elbasanit janë të mbuluara nga uji, duke krijuar vështirësi në qarkullim. 
Raportohet për rrëshqitje dherash në disa akse si Elbasan-Q.Thane, Gramsh-Moglice, Elbasan-Gjinar, Librazhd-Sterbleve, ku qarkullimi kryhet me vështirësi. 
Janë dëmtuar linjat elektrike duke lënë në terr qindra banorë të fshatrave në Peqin, Cërrik, Librazhd dhe Gramsh. Ndërsa në fshatin Kusarth është rrëzuar muri rrethues i një banese,  duke dëmtuar rrugën dhe kabujt elektrik. 
Rreshjet e shiut dhe stuhia e mbrëmjes së të premtes krijoi probleme në rrjetin elektrik të Korçës. Rreth 5600 familje janë pa energji elektrike në gjithë qarkun.
Përroi ka marrë përpara urën e fshatit Panarit, duke lënë në izolim 30 familje.
Ndërsa një natë më parë ra fasada e një objekti në pedonalen e Korçës, duke lënë të plagosur një kalimtar. Po kështu në Kolonjë tre shtëpi kanë dëmtime të çative. 
Prej mbrëmjes së të premtes është bllokuar segmenti që lidh qytetin e Klosit me Rrugën e Arbrit. Siç shihet në këto pamje, nga vërshimi i ujit është çarë asfalti.

Policia Rrugore njofton qytetarët e bashkive Klos dhe Mat, që duan të lëvizin në drejtim të Tiranës të ndjekin aksin e vjetër Klos-Burrel-Ulëz.
Ndërsa Rruga e Arbrit është e kalueshme, por duhet treguar kujdes në bajpasin e Murrizit ku herë pas here ka rrëshqitje dherash.