Sula në Kuvend: Kush do t’i paguajë paratë e transferimit të portit të Durrësit? Mund të kushtojë rreth 1 miliardë euro, dalim me humbje

24 Nëntor 2022, 18:51

Ndërkohë që debati për Projektin e Durrësit vijon që prej nisjes së seancës së sotme në Kuvend, deputeti i PD, Dashnor Sula tha në foltore se projekti do të sillte më shumë humbje për shtetin shqiptar krahasuar me fitimet.

Sipas tij, transferimi i portit do t’i kushtojë shtetit shqiptar rreth 1 miliardë euro ndërsa fitimet nga projekti do të ishin 300 milionë.

“Po kush do t’i paguajë këta paratë e transferimit të portit? Kujt do t’i merret tokë në atë port? Sa do kushtojë ky port që do transferohet atje? Bëhet fjalë për rreth 1 miliardë euro. Edhe sa do përfitojë qeveria shqiptare, rreth 300 milionë. Ngado ta rrotullojmë këtë ne dalim me humbje. Do punësohen punëtorë se aty do bëhen ndërtime për të cilat duhen punëtorë. Këtu kushtet e fitimit të investitorit janë shumë më të mëdha se ato të shtetit shqiptar”- u shpreh Sula.