Sulmet për Komisionin e Vlerësimit të kandidatëve, Kaso: Ata që e kritikuan, sot bëjnë fushatë për PD

1 Shkurt 2021, 23:29 | Përditesimi i fundit: 2021-02-01 23:39:48

TIRANË- Në një kohë kur Komisioni i Vlerësimit të kandidatëve për deputet është kritikuar nga vetë anëtarët e kësaj partie, Sekretari ligjor Ivi Kaso shprehet se nuk janë bërë aspak pishman! I ftuar në emisionin ‘5 pyetjet nga Babaramo’ në Report Tv, Kaso tha se ato anëtarë që e kanë kritikuar, kanë reflektuar dhe sot janë krah drejtuesve të qarqeve në fushatën zgjedhore.

“Procesi ishte i gjatë, pothuajse sfilitës pasi prekur çdo strukturë, por është një gjë për të cilën nuk jemi bërë pishman, por ndihemi krenar, pasi është hera e parë që një parti politike hedh një hap për adresimin e një problemi, të asaj të kryetarokracisë, dhe që forcat politike janë angazhuar që ta luftojë, edhe partitë e vogla por s’kanë hedhur asnjë hap real, PD e ka sanksionuar që listat e kandidatëve nuk do të hartohen nga kryetari apo kryesia por nëpërmjet një procesi ku anëtarësia do të marrë më shumë peshë. Një proces i tillë nuk mund të kënaqte të gjithë, kemi 100 mijë anëtarë, por e rëndësishme është që dhe ata që në fillim mbetën të pakënaqur, ishte i shëndetshëm për demokracinë, dhe ato që kanë dhënë shenja pakënaqësie i kam parë sot më aktiv se kurrë përkrah personave që janë të deleguar në qarqe të caktuara, i kam parë aktiv, duke bërë fushatë, pra nuk ka lënë efekte anësore domethënëse që mund të vinin në rrezik harmoninë e PD-së”, tha Kaso.