Superliga shqiptare e futbollit mbylli më 6 mars raundin e 28-të. Tri pikë për Tiranën dhe Bylisin, ndërsa AF Elbasani me barazimin 0-0 kundër Skënderbeut humbi shansin që të prekte zonën "Final 4".
Në "Niko Dovana" të Durrësit, Tirana e cila luante si vendase mposhti 4-1 Laçin. Bardheblutë që rrezikojnë mbijetesën dhe po vuajnë këtë sezon, treguan se janë "gjallë" dhe u imponuan me "poker". Mbrojtësi Kola shënoi që në minutën e pestë, para se Traore të barazonte për kurbinasit brenda pjesës së parë. Fraksioni i dytë ishte "zjarr" për Tiranën që shënoi tre herë me Jarmouni, Ernest dhe Ndrecën. Megjithë tri pikët, Tirana vijon të jetë në zonën e ftohtë, por këtë herë në play-out.
Paqe në "Elbasan Arena". Vendasit e AF Elbasanit barazuan 0-0 kundër Skënderbeut dhe humbën shansin që të preknin zonën "Final 4". Momenti kyç ishte në minutën e 77-të, kur Musta për vendasit gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, me sferën që u stampua në shtyllën e majtë pingule. Ivan Gvozdenovic u ndal nga ish-skuadra e tij, ndërsa korçarët e shohin veten në telashe.














