Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e dy Kuvendeve Shqipëri-Kosovë, u ndal te procesi i gjykimit të Hashim Thaçit e të tjerëve, duke e quajtur një proces të parregullt ligjor. Rama i propozoi Kuvendit të Kosovë, hartimin e një rezolute që do t’i kërkonte shteteve sponsorizuese të Gjykatës Speciale ngritjen e një Komisioni Verifikimi për të hetuar standardin e gjykimit.
"Në mungesë të Hashimit, Kadriut, Jakupit, Rexhepit, është nyja e mbledhur në fyt, nga dyshimi, se ai proces është i parregullt ligjor, dhe se standardet e tij janë nën standardet e drejtësisë të çdo vendi demokratik që e financon atë gjykatë.
Në këtë sallë nuk është ndërmarrë asnjë një nismë për t’iu kërkuar përmes një rezolute të mbështetur nga të gjitha forcat politike, të paktën nga partitë shqiptare, të gjitha vend financuese të asaj gjykate shqetësimin e madh mbi standardet e atij procesi dhe për të kërkuar ngritjen e një misioni verifikimi lidhur me këtë shqetësim. Gjykata është e pavarur, por standardet nuk janë të varur nga gjykatësit. Ndoshta ky shqetësim i përhapur mund të mos qëndrojë, por nëse qëndron atëherë kjo është gjemë e madhe. Jo për ata 4 njerëz të thjeshtë, por për vete integritetin e drejtësisë ndërkombëtare, së cilës kjo republikë ia dha në mirëbesim gjykimin e historisë që lindi republikën. Prandaj nuk mund të lihet në heshtje shurdhuese që ushqehet prehja gjithfarë motivesh nga më fisniket deri te më politiket, që ajo gjëmë nëse është gjëmë ta bëjë dëmin e vet deri në fund. Dua ta dini të gjithë, se nëse Kuvendi do e ndërmerrte nismën për t’iu drejtuar gjitha shteteve sponsorizuese të gjykatës speciale dhe nëse do na kërkohej që një nisem të tillë t’i bashkohet edhe Kuvendit të Shqipërisë, PS do të angazhohej pa asnjë ngurrim që të njëjtën rezolutë ta depozitonte edhe në Kuvendin e Shqipërisë", tha Rama.